Gërvalla udhëton për në Luksemburg, MPJD jep detaje
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është nisur për në Luksemburg, ku do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të shënimit të 40-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Shengenit. Ajo ka udhëtuar me ftesë të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Dukatit të Madh të Luksemburgut, z. Xavier…

Lajme
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është nisur për në Luksemburg, ku do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të shënimit të 40-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Shengenit.
Ajo ka udhëtuar me ftesë të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Dukatit të Madh të Luksemburgut, z. Xavier Bettel.
Ceremonia do të mbahet të shtunën, më 14 qershor 2025, në Shengen, një vend simbolik për historinë evropiane, ku para katër dekadash u hodhën themelet e lëvizjes së lirë ndërmjet shteteve të Evropës.
Njoftimi i plotë:
Ministrja Gërvalla udhëton për në Luksemburg, merr pjesë në ceremoninë zyrtare të 40-vjetorit të Marrëveshjes së Shengenit
Me ftesë të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Dukatit të Madh të Luksemburgut, z. Xavier Bettel, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, është nisur për në Luksemburg për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare me rastin e 40-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Shengenit.
Ceremonia do të mbahet të shtunën, më 14 qershor 2025, në Shengen, vend simbolik në historinë evropiane, ku katër dekada më parë u hodhën themelet e lëvizjes së lirë ndërmjet shteteve të Evropës. Në këtë ngjarje, në prani të Lartmadhërisë së Tij, Dukës së Madh të Luksemburgut Henri, do marrin pjesë përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, shteteve të shumëta evropiane, shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.
Në kuadër të kësaj ngjarjeje do të përurohen Muzeu Evropian i Shengenit dhe anija e restauruar Princesse Marie-Astrid Europa, vendi ku, më 1985, u nënshkrua Marrëveshja historike që shënoi fillimin e zonës së lëvizjes së lirë brenda Evropës.
Pjesëmarrja e Ministres Gërvalla në këtë përvjetor jubilar nënvizon përkushtimin e Republikës së Kosovës ndaj vlerave evropiane, integrimit evropian dhe bashkëpunimit ndërkufitar që përfaqëson në thelb Marrëveshja e Shengenit.”