Gërvalla takon Kaja Kallas: Mbështetja për Kosovën nuk mund të mbetet në nivel deklarativ, por duhet të përkthehet në hapa konkret
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas në të cilin theksoi rolin kyç që ka Bashkimi Evropian jo vetëm për ruajtjen e stabilitetit, por për ofrimin e vizionit dhe drejtësisë për…

Lajme
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas në të cilin theksoi rolin kyç që ka Bashkimi Evropian jo vetëm për ruajtjen e stabilitetit, por për ofrimin e vizionit dhe drejtësisë për të gjithë qytetarët e Evropës.
Me këtë rast, Gërvalla thuhet se nënvizoi nevojën që Republika e Kosovës të trajtohet si partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese evropiane, duke përfshirë përshpejtimin e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Ajo theksoi se mbështetja për Kosovën nuk mund të mbetet në nivel deklarativ, por duhet të përkthehet në hapa konkret, përmbylljen e procesit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, avancimin e aplikimit për anëtarësim në BE dhe heqjen e masave të padrejta që cenojnë frymën e partneritetit.
Ministrja Gërvalla ritheksoi se e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën.
“Mbështetja për Republikën e Kosovës është një mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar”, thuhet në njoftim.
Ajo po ashtu theksoi se prania dhe angazhimi i Kosovës në rajon është një burim i fuqishëm i stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë kontinentin. Në këtë drejtim, Ministrja Gërvalla tha se tani është koha për vendime të guximshme dhe për një vizion të përbashkët evropian që përfshin edhe Kosovën si pjesë të natyrshme të tij./Lajmi.net/