Gërvalla takohet me zyrtarin e Ministrisë gjermane të Drejtësisë, e falënderon për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla është takuar sot me sekretarin e Shtetit Parlamentar në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Gjermanisë, njëherit deputet i Bundestagut gjerman, Frank Schwabe. Ajo ka thënë se ky ishte takimi i parë për të si ministre e Drejtësisë, ku kanë pasur në fokus bashkëpunimin konkret në fushën…

Lajme

12/02/2026 12:16

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla është takuar sot me sekretarin e Shtetit Parlamentar në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Gjermanisë, njëherit deputet i Bundestagut gjerman, Frank Schwabe.

Ajo ka thënë se ky ishte takimi i parë për të si ministre e Drejtësisë, ku kanë pasur në fokus bashkëpunimin konkret në fushën e drejtësisë.

“Republika e Kosovës është një demokraci funksionale me orientim të pakthyeshëm euroatlantik, e ndërtuar mbi standardet më të larta të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, me një rend kushtetues që garanton barazi për të gjitha komunitetet. Anëtarësimi ynë në Këshillin e Evropës është pasqyrim i këtij realiteti institucional. Angazhimi personal i z. Schwabe ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë drejtpërdrejt në forcimin e bashkëpunimit në drejtësi dhe në avancimin e stabilitetit në rajon”, ka shkruar Gërvalla.

Ajo ka thënë se e ka falënderuar Schwabe për mbështetjen e vazhdueshme që ai dhe Gjermania i kanë dhënë Kosovës, veçanërisht në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ndërsa ka theksuar se Kosova do të vazhdoj të veprojë si faktor i përgjegjshëm, partner i besueshëm dhe shtet që kontribuon në vazhdimësi në sigurinë dhe zhvillimin demokratik të Evropës. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: