​Gërvalla: Suksesi në luftën kundër dhunës matet me jetët që mbrojmë

“Secila grua, secila vajzë, në fakt secili person që përballet me dhunë duhet ta dijë se institucionet do të jenë pranë tyre, se zëri i tyre do të dëgjohet dhe se siguria e tyre do të mbetet prioritet i yni”. Kështu deklaroi, sot, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, në hapjen e…

Lajme

16/06/2026 14:33

“Secila grua, secila vajzë, në fakt secili person që përballet me dhunë duhet ta dijë se institucionet do të jenë pranë tyre, se zëri i tyre do të dëgjohet dhe se siguria e tyre do të mbetet prioritet i yni”.

Kështu deklaroi, sot, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, në hapjen e takimit të parë ndërministror kundër dhunës, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore.

Ajo tha se Kosova ka shënuar përparim të rëndësishëm në forcimin e mbrojtjes nga dhuna, përmes avancimit të kornizës ligjore, politikave publike, koordinimit ndërinstitucional dhe zgjerimit të shërbimeve mbështetëse për viktimat.

Ajo veçoi si një nga arritjet kryesore miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, duke theksuar se është rritur edhe vetëdija institucionale dhe shoqërore për trajtimin e rasteve të dhunës.

Sipas saj, pas çdo rasti qëndron pritja legjitime e qytetarëve që institucionet të veprojnë me profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përgjegjësi.

Duke folur për rolin e Grupit Koordinues, Gërvalla theksoi se luftimi i dhunës nuk është përgjegjësi e një institucioni të vetëm, por kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm dhe angazhim të përbashkët nga të gjitha institucionet përkatëse.

Ajo shtoi se, me afrimin e përfundimit të Strategjisë Kombëtare 2022–2026, duhet të nisë planifikimi i prioriteteve të reja, bazuar në përvojën e deritanishme, rekomandimet e partnerëve dhe nevojat reale të qytetarëve.

Në përmbyllje të takimit, Gërvalla tha se suksesi në luftimin e dhunës nuk matet me numrin e strategjive apo mekanizmave të ngritur, por me sigurinë që u ofrohet qytetarëve, besimin që krijohet dhe jetët që mbrohen. /KosovaPress/