Gërvalla për mediumin izraelit paralajmëron se lufta në Ukrainë mund të depërtojë edhe në Ballkanin Perëndimor
Gjatë qëndrimit disa ditor në Izrael, ku pati takime të shumta, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në intervistë për gazetën më të madhe, “Jerusalem Post”, paralajmëroi se Lufta në Ukrainë mund të depërtojë në Ballkan.
Lajme
Nën titullin ”Lufta në Ukrainë mund të depërtojë në Ballkan, alarmon Gërvall”, gazeta shkruan se ministrja kosovare ka bërë thirrje që zyrtarët e këtij shteti të shfrytëzojnë ndikimin e tyre për të ndihmuar në qetësimin e situatës.
“S’kemi dilema se çfarë po dëshiron të arrijë në Ukrainë presidenti rus Vladimir Putin. Ju mund t’i shihni ngjashmëritë se si po vepron Rusia tash në Ukrainë dhe si vepron Serbia në rajonin tonë”, citon gazeta izraelite, ministren Gërvalla.
“Shtetet si Izraeli mund të ndihmojnë në stabilizimin e rajonit”, ka thënë ajo. “Jemi të shqetësuar se Ballkani mund të jetë zona tjetër e nxehtë”.
“Serbia nuk mund të ulet më në dy ulëse. Deri më tani ishte e mundur që Serbia të merrte para të BE-së dhe me këto para të BE-së të blinte armë ruse, por kjo nuk është më e mundur”, deklaroi më tej kryediplomatja kosovare.
Ndërkaq, teksa foli për njohjen e Kosovës nga Izraeli, ajo e konsideroi si njohje të veçantë.
Gërvalla shënoi vizitën e parë zyrtare si përfaqësuesja e parë nga Kosova që prej njohjes diplomatike të Izraelit. /Lajmi.net/