Gërvalla në OKB: Vuçiq po përgatit popullin serb për sulm ndaj Kosovës përmes propagandës

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se përmes propagandës dhe shpërndarjes së urrejtjes po përgatit opinionin publik serb për sulme të mundshme ushtarake ndaj Kosovës. Duke folur para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjatë diskutimit për raportin e fundit të Sekretarit…

Lajme

21/10/2025 16:59

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se përmes propagandës dhe shpërndarjes së urrejtjes po përgatit opinionin publik serb për sulme të mundshme ushtarake ndaj Kosovës.

Duke folur para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjatë diskutimit për raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, Gërvalla deklaroi se retorika nga Serbia po rrit tensionet dhe rrezikon paqen në rajon, transmeton lajmi.net.

“E përcjellim propagandën e Vuçiqit dhe urrejtjen që shpërndahet, e cila helmon popullatën serbe. Në Serbi mund të shihni grafite ku shkruhet: ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’, jo ‘nëse’. Ata nuk i fshehin qëllimet e tyre,” theksoi ajo.

Megjithatë, ministrja Gërvalla përsëriti angazhimin e Kosovës për dialog dhe zgjidhje paqësore të çështjeve me Serbinë, duke lavdëruar përpjekjet ndërkombëtare për të lehtësuar procesin.

“Dua të lavdëroj punën e zotit Sorensen për përpjekjet që po bën në drejtim të rezultateve konkrete, pavarësisht refuzimeve të vazhdueshme nga Serbia,” u shpreh ajo.

Sipas saj, dialogu në Bruksel duhet të jetë i sinqertë dhe i orientuar drejt rezultateve, jo – siç tha ajo – “një mashtrim nga Vuçiqi”.

“Kosova ka interes të qartë për të reduktuar tensionet me fqinjët dhe për të çuar përpara një agjendë paqësore dhe evropiane,” përfundoi Gërvalla në fjalën e saj para OKB-së./lajmi.net/