Gërvalla në KS: Serbia duhet të zgjedhë, t’i bashkohet Perëndimit apo të mbetet dorë e zgjatur e Rusisë

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka folur në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.

Lajme

20/04/2022 21:49

Në fjalën e saj, Gërvalla ka thënë se UNMIK-u tashmë nuk ka rol administrativ në Kosovë, ndërsa puna e organizatave ndërkombëtare vazhdon normalisht në vendin tonë, shkruan lajmi.net.

Ajo ka thënë se “deri sa Kosova është gjithmonë në krahun Perëndimor dhe në mbështetje të botës demokratike, Serbia vazhdon të jetë satelit i Rusisë”.

Gërvalla ka thënë se aleanca e Serbisë me Rusinë, po bën që rajoni të mos jetë stabil.

Ministrja Gërvalla ka përmendur edhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë.

“Serbia ka kryer krime e gjenocid në vendin tonë deri kur ne jemi mbrojtur me një luftë të tmerrshme, e pastaj erdhi edhe ndërhyrja e NATO-s. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka qenë ministër i Sllobodan Millosheviq, kasapit të Ballkanit i cili njihet për gjenocidet që ka kryer, duke përfshirë këtu edhe krimet në Bosnje e Hercegovinë”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka thënë se Ballkani Perëndimor do të stabilizohet atëherë kur Serbia të pranojë realitetin dhe të njohë Pavarësinë e Kosovës.

“Serbia ka një zgjidhje përpara, t’i bashkohet Perëndimit apo të mbetet dorë e zgjatur e Rusisë. Republika e Kosovës është shtet sovran dhe do të qëndrojë këtu për një kohë të gjatë”, ka thënë ndër të tjerash Gërvalla. /Lajmi.net/