Gërvalla: Me Ukrainën ndajmë dhimbjen për jetët e humbura dhe respektin për qëndresën stoike të popullit ukrainas
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar se në kuadër të takimit të Grupit të Miqve për Llogaridhënie të Agresionit ndaj Ukrainës ka theksuar se pa llogaridhënie nuk ka paqe të qëndrueshme. Gërvalla ka thënë se mosndëshkimi ushqen destabilizim, siç sipas saj, e ka dëshmuar edhe sulmi i 24 shtatorit 2023…

Lajme
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar se në kuadër të takimit të Grupit të Miqve për Llogaridhënie të Agresionit ndaj Ukrainës ka theksuar se pa llogaridhënie nuk ka paqe të qëndrueshme.
Gërvalla ka thënë se mosndëshkimi ushqen destabilizim, siç sipas saj, e ka dëshmuar edhe sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë.
Ajo ka shtuar se Kosova e njeh mirë çmimin e lirisë dhe vlerën e veprimit të bashkësisë ndërkombëtare dhe aleatëve.
“Dënova agresionin rus ndaj Ukrainës dhe theksova se mosndëshkimi ushqen destabilizim, siç e dëshmoi edhe sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë. Me Ukrainën ndajmë dhimbjen për jetët e humbura dhe respektin për qëndresën stoike të popullit ukrainas. Mbështetja jonë për Ukrainën mbetet konkrete dhe transparente.Në Kosovë, shumë mirë e njohim çmimin e lirisë dhe vlerën e veprimit të bashkësisë ndërkombëtare dhe aleatëve tanë. Dhe kur agresioni mbetet pa ndëshkim, rrezikon të përsëritet. Prandaj kërkojmë përgjegjësi të plotë për krimet e vazhdueshme në Ukrainë dhe mbrojtje të rregullave që garantojnë sigurinë e të gjithëve. Kosova do të qëndrojë krah Ukrainës me veprime të qarta dhe pa asnjë hap prapa, derisa agresioni të ndalet dhe drejtësia të vihet në vend. Lavdi Ukrainës dhe lirisë së saj”, ka shkruar ajo në Facebook.