Gërvalla konfirmon përzgjedhjen e ambasadorëve në tri shtete, s’tregon emrat

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka konfirmuar se janë përzgjedhur tre ambasadorë në Turqi, Maqedoninë e Veriut si dhe në Norvegji, e që sipas saj tashmë ka mbetur vetëm aprovimi.

Lajme

09/03/2022 12:49

Gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ministrja Gërvalla tha se të dhënat e tyre janë konfidenciale deri në momentin e aprovimit.

“Mund të ju them që momentalisht i kemi tre ambasadorë të konsideruar politik që kanë kaluar në Komisioni Parlamentar. Është ambasadori që duhet të shkojë në Turqi, ambasadori në Maqedoni dhe ai që duhet të shkojë në Norvegji. Këto janë procedura që janë konfidenciale deri në momentin e aprovimit”, deklaroi ajo.

Ndërsa Gërvalla tha se në shtetet e tjera ka ambasadorë.

“Përndryshe në shumicën e shteteve edhe aty ku me vite të tëra si në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Japoni nuk ka pasur ambasadorë, ata kanë shkuar në ndërkohë. E kemi vetëm një shtet afrikan në të cilin ende nuk kemi një përfaqësim. Poashtu në Tajlandë nuk e kemi postin e ambasadorit por e kemi të ngarkuarën me punë që e kryen këtë funksion. Ngjashëm e kemi gjendjen edhe në Bullgari”, tha ajo.

Tutje, ministrja deklaroi se ministria që ajo drejton ballafaqohet me mungesë të theksuar të personelit dhe të stafit civil në ambasada.

E për këtë ajo paralajmëroi se do të hapin konkurs.

“MPJ ballafaqohet me një mungesë të theksuar të personelit, stafit civil, prandaj jemi në pritje që në bashkëpunim me MPB-në të hapim konkurset që na mundësojnë që pozicionet që i keni të mbuluara me buxhet të mund të shpallim konkurset dhe të fillojnë punën njerëzit të rinj, që dëshirojnë, kanë kapacitet të fillojnë të bëhen shërbyes në MPJ”, tha ajo./Lajmi.net/