Gërvalla freskimin me ujë e quan të mirëseardhur: Nuk e dinë se çfarë duan, opozita po bën “opozitë pa kauzë” –

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka kritikuar sërish partitë opozitare për qasjen e tyre ndaj situatës politike dhe moskonstituimit të Kuvendit. Pas një aktiviteti ku mori pjesë bashkë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Gërvalla tha se në radhët e opozitës ka deputetë që, sipas saj, nuk kanë një qëllim të qartë politik, transmeton…

Lajme

14/08/2026 13:28

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka kritikuar sërish partitë opozitare për qasjen e tyre ndaj situatës politike dhe moskonstituimit të Kuvendit.

Pas një aktiviteti ku mori pjesë bashkë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Gërvalla tha se në radhët e opozitës ka deputetë që, sipas saj, nuk kanë një qëllim të qartë politik, transmeton lajmi.net.

“E kuptoj që ka zhurmë dhe ka të tillë që nuk e duan zgjidhjen, por që nuk e dinë se çfarë duan”, deklaroi ajo.

Duke komentuar përplasjet e fundit në Kuvend, përfshirë edhe gjuajtjen me ujë, Gërvalla tha se incidenti nuk kishte shkaktuar ndonjë dëm të madh.

“Për fat të mirë ishte edhe nxehtë, pra freskimi me ujë nuk është që ishte ndonjë dëm shumë i madh”, u shpreh ajo.

Gërvalla i cilësoi veprimet e opozitës si të pamjaftueshme në aspektin e kauzës politike, duke thënë se çdo aksion duhet të ketë një qëllim të përcaktuar.

“Politika bëhet me mjete të ndryshme. Është e rëndësishme që të mos e humbasim arsyen në asnjërën prej aksioneve tona. Por, me zgjedhjen e mjeteve duhet ta dimë se për çka po i zgjedhim ato mjete”, tha ajo.

Sa i përket moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues, Gërvalla tha se Vetëvendosje këtë herë ka zgjedhur që paraprakisht të zhvillojë diskutime me partitë opozitare, me synimin për të shmangur bllokadat e mëtejshme.

“E kemi bërë të qartë që përpiqemi të bëjmë një marrëveshje sepse e kaluara na ka mësuar se kur po i bëjmë hapat paraprakisht atëherë opozita po na thotë që ju tash i keni kryer, çka po doni me neve”, deklaroi Gërvalla.

Ajo shtoi se qëllimi i këtyre diskutimeve është arritja e një dakordimi paraprak për mënyrën e veprimit në Kuvend./lajmi.net/