Gërvalla: Bashkëpunimi rajonal dhe siguria janë shtylla të politikës së jashtme të Kosovës
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, po merr pjesë në takimin e dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin, ku bashkë me ministrat e punëve të jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor po diskutohet për çështje me interes të përbashkët rajonal. Në fjalën e saj, ministrja Gërvalla theksoi…
Lajme
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, po merr pjesë në takimin e dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin, ku bashkë me ministrat e punëve të jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor po diskutohet për çështje me interes të përbashkët rajonal.
Në fjalën e saj, ministrja Gërvalla theksoi se bashkëpunimi dhe siguria rajonale përbëjnë shtyllën themelore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës dhe janë parakusht për stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, raporton lajmi.net
Duke iu referuar realitetit ndërkombëtar të karakterizuar nga pasiguri dhe sfida gjeopolitike, ajo vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit rajonal të qëndrueshëm si domosdoshmëri strategjike.
Në këtë kontekst, Gërvalla theksoi se bashkëpunimi me Turqinë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, është strategjik, transparent dhe i orientuar drejt paqes, me synim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe kontributin në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse.
Ministrja Gërvalla vlerësoi rolin e Platformës së Paqes për Ballkanin si një forum që dëshmon se sfidat e sigurisë duhet të adresohen përmes dialogut dhe diplomacisë. Ajo theksoi se Kosova e përcjell këtë mesazh në çdo forum rajonal dhe ndërkombëtar, duke u angazhuar për barazi, paqe dhe siguri të qëndrueshme.
Në përmbyllje, Gërvalla rikonfirmoi angazhimin e Republikës së Kosovës për bashkëpunim gjithëpërfshirës, forcim të stabilitetit rajonal dhe avancim të dialogut si instrument strategjik për paqen, sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit./Lajmi.net/