Gerrard: Yamal është më i avancuar se Messi dhe Ronaldo në moshën 19-vjeçare
Ish-kapiteni i Liverpoolit dhe i Kombëtares së Anglisë, Steven Gerrard, ka dhënë vlerësime të jashtëzakonshme për yllin e Barcelonës, Lamine Yamal, duke thënë se talenti spanjoll është më i zhvilluar në moshën 19-vjeçare sesa Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo në të njëjtën periudhë të karrierës së tyre. Në një prononcim të publikuar nga Flashscore, Gerrard…
Sport
Ish-kapiteni i Liverpoolit dhe i Kombëtares së Anglisë, Steven Gerrard, ka dhënë vlerësime të jashtëzakonshme për yllin e Barcelonës, Lamine Yamal, duke thënë se talenti spanjoll është më i zhvilluar në moshën 19-vjeçare sesa Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo në të njëjtën periudhë të karrierës së tyre.
Në një prononcim të publikuar nga Flashscore, Gerrard e ka cilësuar Yamal si një futbollist me potencial për t’u bërë një nga më të mëdhenjtë në histori.
“Për nga talenti dhe potenciali, ai po bën gjëra në fushën e futbollit që nuk i kam parë kurrë nga një 19-vjeçar”, ka thënë Gerrard.
Ai më pas ka bërë krahasimin me dy legjendat e futbollit botëror.
“Është më i avancuar se Ronaldo në moshën 19-vjeçare. Kam luajtur kundër Messit kur ishte i ri dhe mendoj se edhe ndaj tij është më i avancuar në këtë moshë”, ka deklaruar ish-mesfushori anglez.
Megjithatë, Gerrard ka theksuar se krahasimi nuk përfundon vetëm te talenti, pasi Yamal duhet të dëshmojë se mund ta ruajë nivelin për një periudhë të gjatë.
“Por, a do ta ketë qëndrueshmërinë që e kishin të dy? A mund t’i arrijë golat që shënuan ata dhe a do të evoluojë në një numër nëntë?”, ka shtuar ai.
Gerrard ka ngritur gjithashtu si sfidë kryesore për Barcelonën dhe rrethin e lojtarit që ta mbajnë Yamal të motivuar dhe me uri për suksese.
Yamal, i cili ka shpërthyer në skenën e futbollit që nga viti 2023, deri më tani ka shënuar 62 gola në 167 paraqitje me Barcelonën, ndërsa në La Liga ka regjistruar 37 asistime.
Shifrat e tij në një moshë kaq të re kanë bërë që krahasimet me Messin dhe Ronaldon të jenë gjithnjë e më të shpeshta.
KosovaPress