Gërmimet në Dubravë, Hoti: Nuk kemi nevojë për glorifikim, familjaret nuk i njoftojmë për gërmime por për gjetje
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti ka reaguar ndaj raportimeve mbi gërmimet në Burgun e Dubravës, duke theksuar se në mënyrën si po prezantohen ato janë të papranueshme dhe shqetësuese, jo për shkak të përmbajtjes, por për mënyrën e trajtimit dhe shqetësimit të panevojshëm që po u bëhet këtyre rasteve. Si…

Lajme
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti ka reaguar ndaj raportimeve mbi gërmimet në Burgun e Dubravës, duke theksuar se në mënyrën si po prezantohen ato janë të papranueshme dhe shqetësuese, jo për shkak të përmbajtjes, por për mënyrën e trajtimit dhe shqetësimit të panevojshëm që po u bëhet këtyre rasteve.
Si autoritet shtetëror përgjegjës për çështjen e personave të zhdukur, dua të theksoj me përgjegjësi të plotë se ne nuk kemi nevojë për glorifikim mediatik, kemi nevojë për rezultate konkrete, ka theksuar Hoti në Facebook.
Familjet e personave të zhdukur nuk kanë nevojë të tronditen dhjetëra herë nga tituj bombastikë, por të informohen saktësisht dhe në kohë, vetëm kur ka të dhëna të verifikuara, ka porositur Hoti.
Hoti kujton se Kosova ka ndërmarrë mbi dy mijë e tetë qind gërmime në lokacione të ndryshme gjatë viteve në kërkim të të zhdukurve.
“Ky është një proces serioz, i ndjeshëm dhe i dhimbshëm për familjarët, ndaj është e papranueshme që të krijohen ankth dhe pritshmëri të pa përfunduar ende procesi i gërmimit. Ne si Komision nuk i njoftojmë familjet dhe opinionin publik para se të kemi gjetje konkrete, sepse gërmimi i një lokacioni nuk është lajm, gjetja është. Prandaj, kërkoj mirëkuptim të plotë nga mediat që në raste të tilla të shmangin publikime të parakohshme e sensacionaliste që cenojnë dinjitetin e familjeve dhe procesin”, ka shkruar Hoti.
Ai u bën thirrje të gjitha institucioneve relevante, qytetarëve dhe mediave të ndalojnë praktikën e përhapjes së panikut dhe të presin informimin zyrtar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Reagimi i Hotit: