Gërmime masive në pranverë

Prenk Gjekaj thotë se gërmimet në Rashkë do të rifillojnë më 14 janar. Sipas tij ato janë ndërprerë për shkak të festave. Gjekaj thotë se dyshohet edhe për dy lokacione për varreza masive, por sipas tij ato janë planifikuar që të gërmohen në pranverë.

Lajme

18/12/2013 08:13

Gërmimet për varrezë masive që kanë filluar ditë më parë, në Rudnicë afër Rashkës, janë ndërprerë për shkak të kohës së ftohët dhe festave të fundvitit, ndërsa pritet të vazhdojnë në 14 janar të vitit të ardhshëm.

Kështu ka thënë për lajmi.net, Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenkë Gjetaj.

Ndërsa mbetjet mortore të pesë trupave të nxjerra në lokacionin ku janë kryer gërmimet, sipas tij, janë tërhequr dhe do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Beograd.

Prenkë Gjetaj, Kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur,

“Në prezencën e gjykatësit të rastit është vendosur që për shkak të festave të fundvitit, për momentin vetëm ato mbetje mortore të cilat kanë qenë të zbuluara gjatë ditës së premte janë tërhequr dhe do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Beograd. Gërmimet do të rifillojnë më 14 janar”.

“Të gjitha mbetjet mortore që gjenden në territorin e Serbisë, së pari do të shkojnë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Beograd”.

“Atje do të bëhen ekzaminimet nga ana e tyre pastaj edhe procedurat e përgatitjes për dërgim dhe pastaj të bëhen gati për analizat e ADN`së”.

“Gërmimet në Rashkë që janë ndërprerë të enjten gjegjësisht të premten, është dashur të ndërpriten sepse ka qenë gërmim jo profesional”.

“Duhet të kemi ekspertë që me duar dhe me vegla pune të nxjerrin mbetjet mortore dhe gjësendet që mund të jenë bashkë me mbetjet mortore”.

Të premten, më 13 dhjetor, në Rudnicë të Rashkës janë gjetur mbetje mortore pas hetimeve që janë bërë në  bazë të urdhrit të Prokurorisë për Krime Lufte të Serbisë, me ndihmën e Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Lokacioni ku janë gjetur mbetjet e para mortore sipas Gjekaj,do të sigurohet nga autoritetet e Beogradit në mënyrë që të shmanget çdo mundësi për keqpërdorim të kësaj varreze.

“Lokacioni është i siguruar nga policia dhe autoritetet serbe e kanë për detyrë dhe obligim, që të përkujdesen për atë lokacion”.

“Të gjitha këto kanë qenë shqetësime tona. Mirëpo, sa i përket mundësisë që të keqpërdoret lokacioni, nuk ka asnjë mundësi sepse ai incizohet nga satelitët dhe çdo detaj i ndonjë lëvizje ne do të reagojmë dhe nuk do të pajtohemi”.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, ka deklaruar se dyshohet edhe për dy lokacione tjera mirëpo, sipas tij, ato janë planifikuar të gërmohen në pranverë.

“Për momentin lokacioni është duke u verifikuar dhe ka rezultuar me hasjet e para të mbetjeve mortore. Mirëpo ne kemi edhe disa lokacione tjera që dyshohen. Kjo është primare, pastaj do t`i kemi edhe dy lokacione për verifikim, të cilat janë të planifikuara për në pranverë”.

“Ato janë pikërisht në afërsi të vendndodhjes së kësaj varreze që është zbuluar tani”, thotë Gjetaj për lajmi.net.

Duke iu referuar dëshmitarëve, Gjekaj ka potencuar se në vendin ku është gërmuar dhe dy lokacionet tjera afër saj, llogaritet të jenë varrosur më shumë se 400 persona.

Nga 6024 persona sa ishin llogaritur të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, 1775 prej tyre, llogariten ende të humbur.