Gecaj: Të kthjellen LDK e PDK, të ratifikohet demarkacioni!

Qeveria e Kosovës ka dështuar që ta sjellë për votim në Kuvend marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi. Kjo erdhi si pasojë e mospajtimeve për marrëveshjen nga deputetë të partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe nga disa deputetë të koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Këta kishin kundërshtuar caktimin e vijës kufitare të nxjerrë nga Komisioni Shtetëror, duke kërkuar ndryshimin e kësaj marrëveshje.

Lajme

01/01/2017 15:46

Por, Bajram Gecaj, këshilltar politik i kryeministrit Isa Mustafa, në një intervistë për “Indeksonline” ka thënë se qeveria është duke bërë çmos që kjo marrëveshje të votohet.

Ai është shprehur se deputetë të LDK-së dhe PDK-së duhet të kthjellen dhe të reflektojnë për marrëveshjen me rëndësi madhore, në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm pa viza.

“Ne jemi duke u munduar të bëjmë çmos. E vetmja mënyrë që marrëveshja të ratifikohet është që ose Lista Serbe të kthehet në Parlament ose opozita të vendos. Ne i kemi 79 deputetë, s`i kemi 80.  Dua të shpresoj që vërtetë do të kthjellemi, edhe disa deputetë nga radhët tona por edhe disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës që kanë dalë publikisht kundër kësaj vije, besoj se do të kthjellen dhe do t`i shohin faktet e do të reflektojnë, sepse është interes madhor që qytetarët të kenë të drejtë të lëvizin lirë, është proces madhor për proceset që i kemi përpara”, është shprehur ai.

Tutje, Gecaj ka thënë se partitë opozitare e kanë përdorur marrëveshjen e demarkacionit si arsyje për ta rrëzuar pushtetin dhe për ta çuar vendin në zgjedhje. Por, sipas tij, diçka e tillë nuk do të ndodhë.

Ai është shprehur se opozita do t`i lëndojë qytetarët e Kosovës, sepse pa demarkacion nuk ka as liberalizim të vizave.

“Fatkeqësisht për arsye politike është keqpërdorur nga opozita, në mënyrë që ata përmes kësaj çështje të mund të përmbysin pushtetin. Fillimisht kjo është tentuat edhe me mjete të dhunës, pastaj kanë hequr dorë nga mjetet e dhunës dhe tani insistohet përmes kësaj marrëveshje të shkohet në zgjedhje të parakohshme. U themi të gjitha partive opozitare që për shkak të kësaj marrëveshje ne nuk do të kemi zgjedhje të parakohshme, megjithatë ata do të lëndojnë qytetarin e Republikës së Kosovës sepse nëse nuk bashkëpunojnë në këtë çështje, qytetarët nuk do të mund të udhëtojnë lirshëm në Bashkimin Evropian. Do t`i lëndojnë edhe proceset tjera, siç është edhe ai i themelimit të Ushtrisë së Kosovës, por edhe procese tjera me BE-në, sepse tregojnë se jemi shtet jo serioz”, ka thënë ai.

Sipas Gecajt, Kosova nuk ka ekspertë të përcaktimit të kufijve, duke thënë se ata nuk kanë kryer ndonjë ekspertizë për këtë gjë.

Ai është shprehur se ekzistojnë katër komisione që e kanë shënuar të njëjtën vijë, ku aty kanë qenë të përfshirë ekspertë të huaj, të cilët kanë shqyrtuar dokumente që nga viti 1940.

“Komisioni Shtetëror i Republikës së Kosovës, Komisioni Shtetëror i Republikës së Malit të Zi, e kemi deklaratë të departamentit të shtetit, ku thonë se i kanë përfshirë të gjitha dokumentet. Nuk është se ata kanë punuar me dokumente të Komisionit Shtetëror të Republikës së Kosovës. Deklarata e tyre thotë: I kemi studiuar të gjitha dokumentet që nga viti 1940, duke përfshirë ato të Komisionit Shtetëror. Ata kanë ardhur në përfundim që vija ka qenë e përcaktuar. Pastaj e kemi një Komision që aty kemi pas një gjerman që për 20 vite merret me përcaktimin e kufirit të Gjermanisë, pra kemi një ekspert të vërtetë, jo këta ekspertët tanë që kanë mbi si këpurdhat pas kësaj marrëveshje që nuk kanë asnjë ekspertizë për përcaktimin e kufijve. Ne vërtetë e kemi të vështirë të themi që kemi eksperta të kufijve”, ka thënë tutje Gecaj për “Indeksonline”.

Ai ka shtuar se Kosova është tashmë i vetmi vend i izoluar në rajon për shkak të marrëveshjes së demarkacionit, andaj ka kërkuar që të bashkohen të gjitha fuqitë dhe të ratifikohet kjo marrëveshje./Indeksonline/