Gazi lotsjellës në Kuvend- Glauk Konjufca edhe sot para trupit gjykues

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të vendit, Glauk Kojnufca është paraqitur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Konjufca është paraqitur në seancën e thirrur për gjuajtjen me gaz lotsjellës në Kuvend të Kosovës, transmeton lajmi.net. Kjo seancë është pjesë e rigjykimit ndaj Konjufcës. Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 ka shpallur…

Lajme

26/08/2026 09:36

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të vendit, Glauk Kojnufca është paraqitur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Konjufca është paraqitur në seancën e thirrur për gjuajtjen me gaz lotsjellës në Kuvend të Kosovës, transmeton lajmi.net.

Kjo seancë është pjesë e rigjykimit ndaj Konjufcës.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk është provuar se ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Kurse, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi, u refuzua akuza.

Por, Gjykata e Apelit prishi vendimin e Themelores dhe ktheu rastin në rigjykim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.

Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën./Lajmi.net/