Gazeta zvicerane: Kosova po “lufton” kundër Erdoganit
Gazeta zvicerane “Neue Zurcher Zeitung” i ka kushtuar një artikull situatës së fundit të krijuar në Kosovë me arrestimin e gjashtë shtetasve turq dhe deportimin e tyre për në Turqi, arrestime këto që rezultuan me shkarkimin e Ministrit të Brendshëm, Flamur Sefajt, si dhe shefit të AKI-së, Driton Gashit.

Lajme
E këto ngjarje nxitën edhe reagimin e Presidentit turk, Tayip Erdogan, që të akuzojë Kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, se kinse po i mbron ata që vepruan kundër Turqisë.
“Kosova po lufton kundër Erdoganit” titullohet artikulli i kësaj gazete e cila citon deklaratën e Erdoganit për krerët shtetërorë të Kosovës, transmeton lajmi.net.
“Arrestimi i shtetasve turq, i cili u krye në bashkëpunim me autoritetet kosovare dhe shërbimin e intelegjencës turke(MIT) ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek opinioni kosovar. Gjashtë të arrestuarit u deportuan për në Turqi me një aeroplan privat, dhe kjo në kundërshtim me kushtetutën e vendit. Që nga ky rast, qeveria e Kosovës ka potencuar se nuk ka qenë në dijeni lidhur me aksionin e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq, ndërsa Presidenti Hashim Thaçi, i cili ka raporte të mira me Presidentin Erdogan ka premtuar një hetim në detaje për këtë rast”, shkruhet në këtë artikull.
Në këtë artikull përmendet edhe roli i Turqisë në Kosovë, si një shtet i cili ka ndikim të dukshëm në vend, në aspektin ekonomik, religjoz dhe kulturor. Aty citohet edhe fakti që në Turqi jeton një pjesë e madhe e diasporës kosovare.
Erdogan e sheh Ballkanin në stilin e një neo-Osmani, dhe vendet e këtij regjioni si “vende të huaja të afërta me Turqinë”. Një pjesë e vogël e Ballkanit pajtohet me këtë qëndrim të Presidentit turk, mirëpo ato shtete që e bëjnë një gjë të tillë, kanë edhe raporte të mira biznesi me Turqinë. Shembull për këtë është Bosnja e Hercegovina. Shumë nga shqiptarët i frikësohen një islami politik si një të ashtuaquajtur skizofreni të kombit.
Gjithsesi, Ministri i Arsimit ka kundërshtuar idenë e mbylljes së shkollave “Mehmet Akif” në Kosovë, kërkesë kjo direkte nga Ankaraja, përfundohet në këtë artikull./Lajmi.net/