Gastronomët: Zyrtarët policorë po na shkaktojnë probleme pranë lokaleve

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka akuzuar zyrtarët policorë, pasi që sipas SHGK-së, të njëjtit po shkaktojnë probleme pranë lokaleve të tyre, konkretisht për klientët dhe punëtorët.

Lajme

30/01/2021 15:18

SHGK ka reaguar nëpërmjet faqes zyrtare në “Facebook”, në reagimin e bërë thotë se kjo është shkelje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përkatësisht barazisë para ligjit, dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ky është postimi i plotë:

“Është bërë praktikë kohët e fundit që zyrtarët policorë janë duke shkaktuar problemë pranë lokaleve të gastronomisë.

Konkretisht kjo ka të bëjë me sjelljet e tyre që janë të pahijshme dhe drejtohen ndaj klientëve dhe stafit në hapësirat e lokaleve.

SHGK, i’u bën thirrje zyrtarëve policorë dhe inspektorateve përgjegjëse që të zbatojnë në përpikmëri Vendimet e Qeverisë për kontrollin e pandemisë.

Vendimet dhe ligjet shtrijnë autoritetin e tyre ndaj secilit person fizik dhe juridik në Republikën e vendit.

Kjo çfarë po shohim kohët e fundit, është shkelje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, përkatësisht barazisë para ligjit, dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës!

Ju lusim të raportoni çdo rast i cili është në kundërshtim me ligjet në fuqi, në mënyrë që të përdorim mjetet juridike para institucioneve relevante.

Shoqata është në shërbimin tuaj, duke u kujdesur për zbatimin e barabartë dhe të drejtë të ligjeve në vend!”. /Lajmi.net/