Gashi për Amerikanët: O nuk duan Kurtin, o po e lënë Kosovën të gjejë zgjidhje vetë

Analisti politik Astrit Gashi ka komentuar mungesën e angazhimit të drejtpërdrejtë të ndërkombëtarëve – sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – në përpjekjet për formimin e një qeverie të re në Kosovë. Sipas Gashit, qëndrimi i amerikanëve është i dykyptimtë, dhe kjo përbën një zhvillim të pazakontë në skenën politike të Kosovës. Ai tha…

Lajme

02/06/2025 21:57

Analisti politik Astrit Gashi ka komentuar mungesën e angazhimit të drejtpërdrejtë të ndërkombëtarëve – sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – në përpjekjet për formimin e një qeverie të re në Kosovë.

Sipas Gashit, qëndrimi i amerikanëve është i dykyptimtë, dhe kjo përbën një zhvillim të pazakontë në skenën politike të Kosovës. Ai tha se mungesa e angazhimit të SHBA-ve – të cilat historikisht kanë qenë motori kyç për ndërtimin e qeverive – mund të shpjegohet me dy opsione:

“Ose nuk kanë interes të ndërtojnë një qeveri me numrat aktual, pra një qeveri të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje me Albin Kurtin kryeministër, ose nuk kanë problem me këtë punë por po e lënë klasën politike të Kosovës të merret vetë dhe të gjejë zgjidhje,” u shpreh Gashi.

Ai kujtoi edhe periudhën e vitit 2020, kur sipas tij, Albin Kurti kishte marrëdhënie të tjera me përfaqësuesit amerikanë:

“Me Grenellin, Albin Kurti u bë armik vetëm pasi u bë kryeministër në vitin 2020. Para se të merrte postin, kishte takime, darka edhe me Grenellin, edhe me Hashim Thaçin, dhe ai ishte i angazhuar në krijimin e qeverisë ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes.”

Gashi theksoi se në rrethanat aktuale nuk shihet ndonjë sinjal nga diplomacia amerikane në drejtim të Vetëvendosjes:

“Ne nuk po e shohim që zëvendësambasadori i SHBA-ve në Kosovë ta takojë liderin e Vetëvendosjes dhe t’i thotë: ‘Bëje qeverinë, sepse nga ti po e presim.’”