Gashani zhvillon takim me përfaqësuesit e Federatës Aeronautike të Kosovës
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Federatës Aeronautike të Kosovës, Avni Kuçi, së bashku me përfaqësues të kësaj federate dhe sportistë të dalluar të paraglajdit. Në këtë takim u prezantua puna e Federatës, roli dhe rëndësia e sporteve aeronautike në vend, si dhe sukseset e sportistëve në…
Lajme
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Federatës Aeronautike të Kosovës, Avni Kuçi, së bashku me përfaqësues të kësaj federate dhe sportistë të dalluar të paraglajdit.
Në këtë takim u prezantua puna e Federatës, roli dhe rëndësia e sporteve aeronautike në vend, si dhe sukseset e sportistëve në arenën ndërkombëtare, ku sportistëve të pranishëm i’u theksuan arritjet e larta të tyre.
“Takimi kishte karakter njoftues, ku u prezantua veprimtaria e Federatës Aeronautike të Kosovës, rëndësia e këtij sporti, si dhe arritjet e jashtëzakonshme të sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare. Sportistët e pranishëm u veçuan për sukseset e tyre të larta, përfshirë tituj evropianë dhe botërorë, pozicionime të larta në ranglistat ndërkombëtare, si dhe rekorde në kategori të ndryshme” – bëhet e ditur në faqen zyrtare të Ministrit të Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani.
Ndërkohë, në fokus të diskutimit ishte edhe promovimi dhe zhvillimi i mëtejmë i paraglajdit në Kosovë. U theksua se vendi ka potencial të madh natyror dhe njerëzor për të prodhuar sportistë të nivelit të lartë ndërkombëtar, si dhe për të qenë nikoqir i garave të rëndësishme ndërkombëtare.
Ky takim është një hap i rëndësishëm për forëcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit sportiv për avancimin e paraglajdit në Kosovë./kp