Gashani: Kosova do të shkëlqejë më organizimin e Lojërave Mesdhetare
Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka folur për sfidat aktuale në përgatitjet për Lojërat Mesdhetare dhe angazhimin institucional për organizimin e tyre, duke theksuar se pavarësisht faktorëve të jashtëm, puna do të vazhdojë me intensitet të plotë. Duke folur për ndikimin e faktorëve globalë dhe proceset ligjore, Gashani theksoi se nuk mund të…
Lajme
Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka folur për sfidat aktuale në përgatitjet për Lojërat Mesdhetare dhe angazhimin institucional për organizimin e tyre, duke theksuar se pavarësisht faktorëve të jashtëm, puna do të vazhdojë me intensitet të plotë.
Duke folur për ndikimin e faktorëve globalë dhe proceset ligjore, Gashani theksoi se nuk mund të parashikohet saktë dinamika e zhvillimeve për shkak të krizave ndërkombëtare, por kjo nuk do të jetë pengesë për ecjen përpara. Ai nënvizon se tashmë është trasuar rruga për organizimin e Lojërave Mesdhetare dhe se ligji përkatës është gati për procedim urgjent në qeveri.
Ministri sqaron se dokumenti është rikthyer për çështje teknike, por institucionet kanë qenë pranë finalizimit dhe shumë shpejt pritet të procedohet, duke krijuar një bazë të rëndësishme për hapat e mëtejmë, përfshirë edhe themelimin e strukturave përkatëse.
“Nuk e di sa duhet të rritet, sepse disa prej çështjeve që nuk varen nga ne është çështja se krizat botërore, që e rrisin inflacionin mirëpo nuk do të merremi shumë me këto sepse çdo marrje është një vonesë, e do të ecim përpara. Tashmë po trasojmë rrugën. Ligjin për Lojërat Mesdhetare e kemi gati dhe do ta procedojmë shumë shpejt e urgjent edhe në qeveri… Jo është kthyer është liruar, kështu që veç për shkaqe rurale, sepse për ndryshe edhe sot kemi menduar se do të jemi në gjendje ta dërgojmë në mbledhjen e qeverise së pari, kështu që jemi afër aty, ai do të trason një rrugë e formojnë një kornizë pastaj edhe për disa hapa tjerë për themelim të komunitetit”, theksoi ai për KosovaPress.
Tutje, ai flet për përkushtimin institucional dhe bashkëpunimin e gjerë që kërkon një organizim i tillë, duke u shprehur i bindur se do të jepet maksimumi nga të gjitha nivelet. Gashani thekson se në këtë proces do të përfshihen jo vetëm Ministria e Rinisë dhe Sportit, por e gjithë qeveria, duke përfshirë kryeministrin, ministritë kyçe si financat, punët e brendshme, shëndetësinë, si dhe pushtetin lokal. Sipas tij, një rol të rëndësishëm do ta kenë edhe Komiteti Olimpik dhe Komuna e Prishtinës, së bashku me komunat e tjera organizatore, për të cilat ai thotë se tashmë ka parë gatishmëri të plotë për bashkëpunim. Në fund, ministri nënvizon se qëllimi kryesor mbetet që Kosova të shkëlqejë përmes këtij eventi, pavarësisht meritave individuale apo politike.
“Unë jam super i bindur, pse jam super i bindur sepse do ta japim maksimumin jo vetëm unë nga Ministria e Sportit dhe e Rinisë por edhe qeveria komplet sepse aty jemi të gjithë, nga kryeministrit e ministrit e linjës duhet të marrin pjesë financat e brendshme, shëndetësia, pushteti lokal, infrastruktura, gjithë do të jemi së bashku e kështu që gjithë do të jemi dhe do të japim maksimumin, por maksimumin do ta jap edhe Komuniteti Olimpik e Komuna e Prishtinës edhe komunat që organizojnë event, kështu që unë tashmë shumicën absolute të tyre i kam kërkuar dhe e kam parë gatishmërinë e tyre që të punojmë së bashku, për tu kthyer në një pjesë të pyetjes tënde unë i trajtojë eventet të tilla, që ta bëjmë eventin që Kosova të shkëlqejë edhe nëse nuk më mbetet merita mua, si pjesëtarë i një partie apo edhe i koalicionit absolutisht nuk ka problem, vetëm Kosova të shkëlqejë”, ka bërë të ditur Gashani.
Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje e madhe shumë-sportive që organizohet çdo katër vjet dhe mbledh shtetet që kanë dalje në Detin Mesdhe. Ato u themeluan në vitin 1951 me qëllim forcimin e bashkëpunimit, miqësisë dhe konkurrencës sportive mes vendeve pjesëmarrëse.
Në këtë event marrin pjesë sportistë nga tri kontinente – Evropa, Azia dhe Afrika – duke garuar në dhjetëra disiplina sportive. Lojërat konsiderohen si një platformë e rëndësishme për promovimin e sportit, zhvillimin e infrastrukturës dhe rritjen e imazhit ndërkombëtar të vendeve organizatore./kp