Garë jetike për secilin

Ardian Arifaj nuk e përjashton mundësinë e ashpërsimit të gjuhës gjatë këtyre ditëve të fushatës, por jo diçka jashtë asaj që do të quhej normale për kushtet e Kosovës. Ai thotë se kjo garë, për secilën parti, në Komuna të caktuara, është jetike.

Lajme

26/11/2013 07:02

Gara jashtëzakonisht e fortë zgjedhore në disa Komuna ka filluar të ndikojë tek partitë politike që të rrisin akuzat në adresë të rivalëve me të cilët do ta kenë përballjen vendimtare këtë të diel.

Pak ditë para balotazhit të 1 dhjetorit, kur qytetarët do të vendosin se kush do t’i udhëheqë në pushtetin lokal për katër vjetët e ardhshme, debatet kanë filluar të nxehen.

Analisti Ardian Arifaj, në një bisedë për lajmi.net, nuk e përjashton mundësinë e ashpërsimit të gjuhës në ditët vijuese, ndonëse nuk e sheh si diçka që do të ishte jashtë asaj që mund të quhet normale për kushtet e Kosovës.

“Deri tash nuk kemi krijuar një traditë të një gjuhe të ashpër, e shumë armiqësore, në zgjedhjet që janë mbajtur tek ne. Kështu që nuk pres diçka jashtë asaj që kemi parë edhe në zgjedhjet e kaluara”.

“Mund të presim një ashpërsim, sigurisht më shumë sesa në raundin e parë të zgjedhjeve, por jo diçka jashtë asaj që do të quhej normale për kushtet e Kosovës”.

Gara e 1 dhjetorit Arifaj thotë se është e fortë dhe e rëndësishme pothuajse në të gjitha Komunat ku do të ketë zgjedhje këtë të diel. Natyrisht, betejat kryesore do të zhvillohen në qendrat e mëdha.

“Në fakt, gjithkund pothuajse gara është e rëndësishme dhe nuk mund të veçojmë asnjërën Komunë. Normalisht, Prishtina del si më e rëndësishmja për shkak se është Kryeqytet, e gjithashtu mos të harrojmë që gara në Pejë, Gjakovë e Suharekë është e rëndësishme për AAK’në. po aq sa për LDK’në ose AKR’në në Pejë ose Gjakovë”.

“Njësoj është e rëndësishme edhe gara në Mitrovicë, në Veri të Mitrovicës, por edhe në Jug”.

“Njësoj është edhe në Prizren për secilën parti.”

“Kështu që, nuk e kisha veçuar asnjërën Komunë ku gara është më e rëndësishme. Për secilën Komunë, së paku për njërën prej partive politike, gara është e rëndësisë pothuajse jetike”.

Arifaj nuk pret që të ketë telashe në rast të ndërrimit të pushteteve në disa prej Komunave ku do të zhvillohet balotazhi. Ai pret të ketë një tranzicion normal të pushtetit, të paktën ashtu siç ka ndodhur deri sot.

“Deri tash tranzicioni është bërë në mënyrë të qetë në Kosovë. Thjesht, duke u nisur prej përvojës, nuk mendoj se këtë herë mund të ketë probleme në dorëzimin e pushtetin për ndonjë Kryetar Komune në Kosovë”.

“Përkundrazi, sot është edhe më pak rrezik për një sjellje të papranueshme në politikë, pasi kemi filluar të ndërtojmë një traditë në politikë”.

Pothuasje të gjitha forcat politike konsiderohet të kenë lidhjet e tyre me grupe të ndryshme të interesit, ekonomike, që është një lloj sekreti publik, të cilat mund të ndikojnë në garën zgjedhore.

Por, sa beson Arifaj se mund të jetë fuqia e tyre në garën e 1 dhjetorit?

“Në fakt, në raundin e parë kjo nuk u tregua determinuese, nuk u tregua faktor i determinuar”.

“Shumë Komuna shkuan në balotazh. Kushdo që ka qenë në pushtet, e që ka llogaritur në këto lidhjet ekonomike, sigurisht se ka llogaritur se do të fitojë në raundin e parë. Tash po del që nuk është edhe aq e sigurt, po del që votuesi është i vetëdijshëm për sekretin e votës”.

“Votuesi tash voton sipas preferencave të tij, e jo ashtu si e dirigjon dikush tjetër”.