Gara Harris – Trump, muaji i fundit i fushatës për Shtëpinë e Bardhë
Ka mbetur vetëm një muaj deri në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara dhe demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump vazhdojnë fushatën intensive. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns i hedh një vështrim garës së kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë që ka hyrë në fazën e fundit të saj. Rivalët…
Bota
Ka mbetur vetëm një muaj deri në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara dhe demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump vazhdojnë fushatën intensive. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns i hedh një vështrim garës së kandidatëve për Shtëpinë e Bardhë që ka hyrë në fazën e fundit të saj.
Rivalët Donald Trump dhe Kamala Harris po përpiqen në muajin e fundit të fushatave të tyre që të fitojnë terren në komunitetet ku mund të kenë mbështetje më të vogël.
Sondazhet tregojnë se Nënpresidentja Harris gëzon mbështetje më të madhe mes votueseve gra. Gjatë një tubimi në Karolinën e Veriut, zoti Trump u zotua t’i mbronte gratë, për të cilat tha se janë më të varfra, me më shumë probleme shëndetësore dhe më pak të sigurta sesa kur ai ishte president.
“Po harxhojnë më shumë para për ushqimet dhe gjithçka tjetër se sa shpenzonin katër vjet më parë. Janë më të stresuara, më të dëshpëruara dhe të pakënaqura se sa ishin katër vjet më parë. Unë do t’i rregulloj të gjitha këto probleme”, u premtoi zoti Trump grave amerikane.
Qasja ndaj abortit është një nga arsyet se pse zoti Trump renditet pas demokrates Harris mes votueseve gra. Ai emëroi në Gjykatën e Lartë pjesëtarë që ndihmuan në dhënien fund të një ligji federal mbi 50 vjeçar për mbrojtjen e abortit.
Më shumë se njëzet shtete kanë vënë kufizime për abortin pas vendimit të Gjykatës së Lartë në vitin 2022, mes tyre edhe Xhorxhia. Zonja Harris tha në tubim se këto votime kanë të bëjnë me liritë e grave
“Nuk është e nevojshme që dikush të braktisë besimin fetar apo bindjet e veta për të rënë dakord se shteti nuk duhet t’u tregojë grave se çfarë duhet të bëjnë. Gratë mund të zgjedhin vetë nëse duan të flasin me priftin, rabinin apo hoxhën. Pra nuk i takon qeverisë apo Donald Trumpit që t’u thotë grave se çfarë të bëjnë me trupin e tyre”, tha zonja Harris.
Por nga ana tjetër, republikani Trump kryeson mes votuesve burra.
Përpjekjet për të shtuar mbështetjen për zonjën Harris mes burrave përfshijnë edhe një reklamë nga “Projekti Linkoln” që është kundër zotit Trump. Reklama thotë se Harris është më e mira për klasën e mesme dhe u kërkon burrave të votojnë për të.
Ekonomia vazhdon të jetë çështja kryesore për shumicën e votuesve. Zoti Trump thotë se do të tërheqë investime të huaja dhe hapë më shumë vende pune.
“Kompanive dhe bizneseve më të mëdha të botës do t’u ofroj taksa më të ulëta, kosto më të ulët për energjinë, lehtësime për çështjet rregullatore dhe qasje falas në tregun më të mirë dhe më të madh në planet, por vetëm nëse produkti i tyre bëhet këtu në Amerikë”, tha zoti Trump.
Zonja Harris po premton një ndihmë prej 25 mijë dollarësh për blerësit e rinj të shtëpive.
“E di se çdo të thotë për njerëzit që punojnë pa pushim, kursejnë dhe kanë një ëndërr që ka të bëjë me dinjitetin e punës së tyre dhe investimin për të ardhmen e tyre, të ardhmen e familjes së tyre. Një investim në krenarinë e tyre, që me të drejtë e meritojnë për shkak të punës së tyre të palodhur”, tha zonja Harris.
Votimi i hershëm ka vazhduar tashmë në 23 shtete. Votuesja Maxine Maxim mbështet zonjën Harris.
“Kemi nevojë për një ndryshim. Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë duhet të kenë kuptim. Duam të drejtat e grave.
Votuesi Eugene Otteson mbështet zotin Trump.
“Më pëlqen dikush që mund të drejtojë një biznes. Ai dëshmoi se mund ta drejtojë vendin. Ende nuk e dimë se cilat janë qëndrimet e Kamalës”.
Ndërsa shumica e shteteve janë të vendosura se për kë do të votojnë, ka që të ngjarë që fituesi i zgjedhjeve të përcaktohet nga shtetet fushëbetejë si Miçigani, Uiskonsin, Pensilvania, Xhorxhia, Karolina e Veriut, Arizona dhe Nevada./VOA