GAP: Problemi i projektbuxhetit 2026 nuk qëndron te Qeveria, por te Kuvendi

Analisti i politikave në Institutin GAP, Bekim Salihu, ka deklaruar se problemi i mundshëm i mosmiratimit të buxhetit nuk qëndron te Qeveria në detyrë, por te Kuvendi i Kosovës, i cili ende nuk është i kompletuar me komisionet përkatëse parlamentare. Sipas Salihut, edhe Qeveria në detyrë ka të drejtë ligjore që ta procedojë Projektligjin për…

Lajme

28/10/2025 14:15

Analisti i politikave në Institutin GAP, Bekim Salihu, ka deklaruar se problemi i mundshëm i mosmiratimit të buxhetit nuk qëndron te Qeveria në detyrë, por te Kuvendi i Kosovës, i cili ende nuk është i kompletuar me komisionet përkatëse parlamentare.

Sipas Salihut, edhe Qeveria në detyrë ka të drejtë ligjore që ta procedojë Projektligjin për Buxhetin në Kuvend, siç përcaktohet në Ligjin për Qeverinë, neni 31, pika 2. Megjithatë, mungesa e komisioneve parlamentare po e pengon procesin e shqyrtimit dhe miratimit të këtij projektligji.

“Çfarë mund të bëhet në këtë rast është që Kryeministri në detyrë mund të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, e cila ka për obligim të mblidhet brenda tri ditësh,” ka sqaruar Salihu.

Ai ka shtuar se të njëjtën mundësi e ka edhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) si subjekti më i madh parlamentar, e cila me 30 nënshkrime mund të kërkojë një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit dhe të formojë komisionet e obligueshme, përfshirë edhe Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa.

Sipas Salihut, për formimin e këtyre komisioneve nuk kërkohet shumicë e dyfishtë, por vetëm shumicë e thjeshtë votash. Kjo nënkupton se Vetëvendosje i ka votat e mjaftueshme për ta bërë këtë hap dhe për të mundësuar procedimin e projektbuxhetit në seancë plenare.

“Menjëherë pas formimit të komisioneve, mund të kalohet në procedimin e Projektligjit për Buxhet, i cili mund të miratohet me shumicë të thjeshtë, me kusht që të jenë të pranishëm së paku 61 deputetë, që përbëjnë kuorumin,” ka theksuar ai.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka komentuar të hënën çështjen e projektbuxhetit 2026, i cili tha se Ligji për Qeverinë i mundëson këtij ekzekutivi në detyrë ta propozojë projektbuxhetin për vitin 2026 në Kuvendin e Kosovës, ani se sipas tij, nuk do të thotë se puna mbaron aty.

“Një vend pa buxhet, është një vend i cili nuk mund të ecë përpara. Ne kemi të drejtë që ta propozojmë buxhetin për vitin 2026 në Kuvendin e Kosovës në bazë të ligjit për Qeverinë, mirëpo në të njëjtën kohë do të na duhet të bëjmë shumë konsultime me juristët në mënyrë që të shohim se si është rruga përpara, meqenëse fakti që Qeveria miraton një propozim buxhet për vitin 2026, kjo nuk do të thotë që puna ka mbaruar, por vetëm sa ka filluar. Nuk janë ende komisionet parlamentare në Kuvend dhe gjithashtu cili do të ishte ai buxhet i cili do ta kishte mazhorancën prej 61 deputetëve, sepse në dy lexime do t’i duhet që të kalojë në kuvend në të cilin sic e pamë dje, qeveria ose kabineti që propozova unë i mori 56 vota. Kështu, ka shumë të panjohura për rrugën përpara dhe dita e djeshme i ka shtuar ato”, ka thënë ai.

Afati i fundit për aprovimin e buxhetit për vitin 2026 në qeverinë e Kosovës është më 31 tetor./kp