“Gabimet fatale të lidershipit të atëhershëm…” – Mustafa nuk merret me deklarimet e Osmanit: Të kota, si të merrem me borën e vitit të kaluar
Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar dje se nuk e ka braktisur kurrë elektoratin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe se largimi i saj nga partia ka ndodhur si pasojë e vendimeve të lidershipit të atëhershëm të LDK-së. Ajo ka theksuar gjithashtu se qëndron ende pas kritikave që kishte adresuar në atë periudhë dhe…
Lajme
Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar dje se nuk e ka braktisur kurrë elektoratin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe se largimi i saj nga partia ka ndodhur si pasojë e vendimeve të lidershipit të atëhershëm të LDK-së.
Ajo ka theksuar gjithashtu se qëndron ende pas kritikave që kishte adresuar në atë periudhë dhe se nuk është penduar për qëndrimet e saj politike.
Sipas saj, për shkak të qëndrimeve të saj politike, ajo është përjashtuar nga lidershipi i atëhershëm, por theksoi se ato qëndrime i qëndron edhe sot.
“Jo, Vjosa Osmani nuk e ka braktis kurrë elektoratin e LDK-së. Elektorati i LDK-së nuk është që janë lidhur me emra, elektorati i LDK-së janë larguar në vitin 2020 për shkak të gabimeve fatale që i ka bërë atëherë lidershipi i atëhershëm i LDK edhe nëse dikush mendon që unë dalë edhe kërkoj falje pse e kam mbrojtur vullnetin e elektoratit të LDK-së le ta harrojë, kurrë e për jetë. Unë nuk jam pishman që e kam mbrojtur secilin premtim para elektoratit të LDK si kandidate për kryeministre. Duke e mbrojtur atë qëndrim mua më ka përjashtuar ai lidership, dhe ato qëndrime i mbaj edhe sot. Nuk është çështje për kërkim falje…”, ka deklaruar ajo në Debat Plus.
Ndërkohë, ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka refuzuar të komentojë këto deklarata, duke i cilësuar si të pavlera dhe pa relevancë aktuale politike.
Në një përgjigje për Lajmi.net, Mustafa është shprehur shkurt se nuk sheh arsye për t’u ndalur në tema të tilla që i përkasin së kaluarës.
“Më duket e kotë të merrem me të; si të merrem me borën e vitit të kaluar”, ka deklaruar Mustafa.
Osmani, ka folur dje edhe për akuzat dhe etiketimet ndaj saj në skenën politike, duke thënë se nuk do të lejojë askënd ta quajë me terma që ajo i konsideron të pavërteta dhe fyese.
Osmani theksoi se gjatë gjithë karrierës së saj politike ka vepruar në kundërshtim me pretendimet e tilla dhe se për çdo shpifje apo ofendim do të angazhohen institucionet e drejtësisë.
“Dhe nuk do të lejojë kurrë, asnjëherë askush, pavarësisht cilës parti i takon times apo tjetrës që të dalë dhe të më shpallë mua tradhtare apo shitëse të territorit të vendit tim sepse unë e kam bërë pikërisht të kundërtën dhe për këto gjëra që i kanë thënë dhe shumë e shumë ofendime dhe shpifje që janë bërë natyrisht që janë institucionet e drejtësisë do të merremi andaj jashtë politikes”, ka deklaruar Osmani.
Kujtojmë se ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë vitit 2022 ka thënë se nuk ka pasur asnjëherë marrëveshje që Vjosa Osmani të bëhet kryetare e LDK-së.
Më 2019, disa javë para zgjedhje parlamentare të 6 tetorit, Osmani ishte zgjedhur si kandidate për kryeministre e LDK-së, ndërkohë Mustafa si kryetar për një mandat të tretë.
Mustafa thoshte atë botë se ky ishte konsensusi që ishte arritur brenda partisë dhe se nuk ka pasur asnjë marrëveshje të fshehtë me askënd.
“Nuk ka pasur asnjë marrëveshje. Kemi qenë tre muaj diku para se të hyjmë në zgjedhje partiake. Kam paralajmëruar kryesinë dhe kryetarët e degëve se unë më nuk jam i interesuar të jem kryetar i LDK-së. Arsyet kanë qenë edhe shëndetësore dhe që të mos dal në terren kur duhet të takohesh me të gjitha degët e të marrësh pjesë në tubime. Kam thënë se nuk mund të marr këtë përgjegjësi. Do të ishte pengesë e punës së partisë dhe e shoh të arsyeshme që kam kryer dy mandate.”
“Ka pasur diskutime që kanë zgjatur mjaft shumë. Kemi menduar se mund të gjejmë zgjidhje dhe pastaj kemi tre-katër kandidatë e Kuvendi t’i zgjedh. Më thanë se ti duhet ta marrësh kryesimin, më detyruan në njëfarë forme. Pastaj u dakorduam që nëse nuk mund të vazhdoj mandatin për ndonjë arsye, prej gjysmës të marrë dikush. Ka pasur orientim që të kemi Vjosa Osmanin, Lutfi Haziri apo tjetërkënd si kryetar. Mendoj se ata i kanë matur gjasat e tyre. Mirëpo, them me përgjegjësi të plotë se nuk ka pasur marrëveshje me askënd. Të gjithë e panë se çdo zgjidhje tjetër do të sillte probleme partiake”, kishte deklaruar ai në T7.
LDK-ja u rendit e treta në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026. Sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, LDK-ja fitoi rreth 16.69%, duke siguruar 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Kështu kryetari i tanishëm i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas përfundimit të procesit zgjedhor ka thënë se partia që ai drejton ka shënuar rritjen më të madhe në këto zgjedhje.
Abdixhiku tha se LDK-ja ka marr 20 mandate dhe tashmë është e stabilizuar dhe një forcë politike në rritje të vazhdueshme.
“Ky rezultat është reflektimi i një bashkimi të madh njerëzor e politik. LDK-ja sonte synon rritjen më të madhe që një subjekt politik ka siguruar këtë rritje. LDK ka kaluar nga 13 në 18%, në 20 mandate”, ka thënë ai./Lajmi.net/