G20 miratoi deklaratën e përbashkët për luftën në Ukrainë

Grupi prej njëzet vendeve më të fuqishme ekonomike ka miratuar një deklaratë konsensusi për çështjet me të cilat përballet blloku, njoftoi kryeministri indian, Narendra Modi gjatë samitit në New Delhi duke sinjalizuar se negociatorët kanë zgjidhur mosmarrëveshjet e thella rreth luftës në Ukrainë. “Bazuar në punën e palodhur të të gjitha ekipeve, ne kemi arritur…

Bota

09/09/2023 18:29

Grupi prej njëzet vendeve më të fuqishme ekonomike ka miratuar një deklaratë konsensusi për çështjet me të cilat përballet blloku, njoftoi kryeministri indian, Narendra Modi gjatë samitit në New Delhi duke sinjalizuar se negociatorët kanë zgjidhur mosmarrëveshjet e thella rreth luftës në Ukrainë.

“Bazuar në punën e palodhur të të gjitha ekipeve, ne kemi arritur një konsensus mbi Deklaratën e Samitit të Liderëve të G20. Unë njoftoj miratimin e kësaj deklarate”, tha Modi para udhëheqësve të G20 në Indi.

Më herët, Modi inauguroi takimin dy-ditor duke u kërkuar anëtarëve t’i japin fund “deficitit të besimit global” dhe njoftoi se blloku ka pranuar si anëtar të përhershëm “Bashkimin Afrikan”.

“Sot, si kryesuese e G20, India po i bën thirrje të gjithë botës që së pari ta kthejë këtë deficit të besimit global në besim”, tha ai. “Është koha që ne të gjithë të ecim përpara së bashku”.

Grupi është thellësisht i ndarë për luftën në Ukrainë, me vendet perëndimore që bëjnë thirrje për një dënim të fortë të Rusisë në Deklaratën e Liderëve, ndërsa të tjerët kërkojnë një fokus në çështje më të gjera ekonomike.

Formulimi mund të jetë i ngjashëm me gjuhën e deklaratës së lëshuar në Indonezi në samitin e vitit 2022, e cila vuri në dukje se ndërsa shumica e vendeve dënuan Rusinë për pushtimin, kishte pikëpamje të ndryshme.

Një draft i mëparshëm i deklaratës përfundimtare prej 38 faqesh, i parë nga Reuters, e la bosh paragrafin e “situatës gjeopolitike”, ndërsa kishte marrëveshje për 75 paragrafë të tjerë që mbulonin çështje nga borxhi global dhe kriptovalutat deri te ndryshimet klimatike.