Fyle: Kuvendi nuk bën të jetë vend për ‘manovra ushtarake’

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në takim emisarin e Republikës Çeke për Ballkanin Perëndimor dhe ish-komisionerin e Bashkimit Evropian për zgjerim dhe politika të fqinjësisë, Shtefan Fyle, i cili ka dorëzuar letrën zyrtare me të cilën autoritetet e Kosovës njoftohen se Praga zyrtare e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.

Lajme

08/02/2016 19:49

 

Zëvendëskryeministri Thaçi falënderoi ish-komisionerin Fyle dhe shtetin çek për mbështetjen dhënë shtetit kosovar në rrugëtim e tij evropian.

“Marrëveshja për Stabilizim Asociim është hyrje në marrëdhënie kontraktuale me BE-në” u shpreh Thaçi dhe shtoi se Kosova do të qëndrojë prapa obligimeve të veta ndërkombëtare.

Thaçi tha se dialogu me Serbinë do të vazhdojë dhe se marrëveshjet e arritura do të zbatohen. Ai theksoi se Republika Çeke mbetet një partner i rëndësishëm i Kosovës drejt integrimit të vendit në BE dhe NATO.

Nga ana tjetër, emisari i Republikës Çeke për Ballkanin Perëndimor, Shtefan Fyle përgëzoi zëvendëskryeministrin Thaçi për arritjet e Kosovës në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por shprehu shqetësimin e tij me zhvillimet e brendshme politike.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Fyle dorëzoi letrën zyrtare me të cilën autoritetet e Kosovës njoftohen se Praga zyrtare e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën. Emisari Fyle u interesua edhe për zhvillimet e brendshme në Kosovë dhe u tha se “Kuvendi nuk bën të jetë vend për ‘manovra ushtarake’, por vend i debatit dhe ku zgjidhen problemet”./kp