Futsall – Kombëtarja e Kosovës U19 realizon fitore bindëse ndaj Sllovakisë
Kombëtarja e Kosovës U19 në futsall ka realizuar fitore në duel me Sllovakinë, në ndeshjen e parë në kuadër të Grupit 3 në ‘Main Round’ për kualifikimet e Kampionatit Evropian që po zhvillohen në Portugali. Kosova nuk e nisi mirë ndeshjen dhe pësoi gol në minutën e 4-t, kur realizoi Bielik. Megjithatë, kthesa në rezultat…
Sport
Kombëtarja e Kosovës U19 në futsall ka realizuar fitore në duel me Sllovakinë, në ndeshjen e parë në kuadër të Grupit 3 në ‘Main Round’ për kualifikimet e Kampionatit Evropian që po zhvillohen në Portugali.
Kosova nuk e nisi mirë ndeshjen dhe pësoi gol në minutën e 4-t, kur realizoi Bielik. Megjithatë, kthesa në rezultat ndodhi në minutën e 22-të, kur Dardanët shënuan dy gola të shpejtë.
Fillimisht Horváth shënoi autogol, derisa më pas Blendi Krasniqi realizoi për përmbysje të rezultatit. Minutat në vazhdim kaluan në dominim të plotë të Kosovës, që arriti të shënojë edhe pesë herë tjera. Blend Krasniqi shënoi edhe dy herë tjera për ta kompletuar ‘Hat-Trick’-un (30’, 38’), derisa me nga një gol kontribuuan Jetnor Kabashi (25’), Ideal Abdullahu (34’) dhe Elton Demaj (40’).
“Djelmoshat tanë patën një paraqitje shumë të mirë në këtë ndeshje dhe treguan karakter të fortë. Pavarësisht se ishim me mungesën e dy lojtarëve kyç, Jon Krasniqi e Olti Mehmeti si dhe të hendikepuar pa përzgjedhësin Suad Keçi, ia arritëm që t’i gëzohemi fitores dhe atë me rezultat bindës, ndonëse në fillim ishin në disavantazh. Tash na pret ndeshja me Portugalinë, që është superfuqi në futsall dhe kampione e botës me Kombëtaren A.
Realisht niveli ynë me atë të Portugalisë nuk mund të krahasohet, por ne do t’i hyjmë kësaj ndeshje me synim për të dhënë maksimumin. Kjo gjeneratë e lojtarëve është shumë e mirë dhe nëse ka grumbullime më të shpeshta sigurisht se niveli i tyre do të rritet edhe më shumë. Gjithsesi kjo fitore na ka bërë krenar dhe i gjithë stafi i ekipit dhe lojtarët atë ia dedikojmë presidentit Agim Ademi”, ka theksuar Haki Ahmeti, i cili e udhëhoqi ekipin në ndeshjen e sotme për shkak të pezullimit të përzgjedhësit Suad Keqi. Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon nesër kundër favoritit të grupit Portugalisë, derisa në fund luan me Bjellorusinë./Lajmi.net/