​Futbolli kosovar humb një tjetër legjendë, Ademi: Njëri prej emrave të mëdhenj dhe figurave emblematike të futbollit të Kosovës

Futbolli i Kosovës është goditur nga një tjetër lajm i hidhur. Zenun Brovina, një nga emrat më të njohur të gjeneratës së tij dhe figurë emblematike e futbollit kosovar, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare. Brovina ishte pjesë e historisë së futbollit kosovar, duke e nisur karrierën te Vëllaznimi i Gjakovës, ndërsa më pas luajti…

Sport

17/08/2026 09:24

Futbolli i Kosovës është goditur nga një tjetër lajm i hidhur. Zenun Brovina, një nga emrat më të njohur të gjeneratës së tij dhe figurë emblematike e futbollit kosovar, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.

Brovina ishte pjesë e historisë së futbollit kosovar, duke e nisur karrierën te Vëllaznimi i Gjakovës, ndërsa më pas luajti edhe për Partizanin e Beogradit dhe Prishtinën. Ai ishte gjithashtu kapiten i Reprezentacionit të Kosovës dhe konsiderohej një prej futbollistëve më të spikatur të kohës së tij.

Vdekja e Brovinës vjen në të njëjtën ditë me ndarjen nga jeta të ish-futbollistit tjetër të njohur, Erdogan Celinës, duke e bërë këtë një ditë veçanërisht të dhimbshme për futbollin kosovar.

Për vdekjen e Brovinës ka reaguar edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka shprehur ngushëllime për familjen, të afërmit dhe komunitetin e futbollit.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Zenun Brovinës, njërit prej emrave të mëdhenj dhe figurave emblematike të futbollit të Kosovës”, ka shkruar Ademi.

Ai ka theksuar se futbolli kosovar brenda së njëjtës ditë humbi dy prej legjendave të tij.

“Është veçanërisht e dhimbshme që në të njëjtën ditë futbolli ynë u përball me humbjen e dy legjendave të tij. Pas ndarjes nga jeta të Erdogan Celinës, morëm edhe lajmin për vdekjen e Zenun Brovinës, në moshën 84-vjeçe”, ka shkruar kreu i FFK-së.

Ademi ka kujtuar kontributin e Brovinës për Vëllaznimin, Prishtinën dhe futbollin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një futbollist të jashtëzakonshëm dhe një njeri të respektuar e modest.

“Me Zenun Brovinën, futbolli i Kosovës humbi një legjendë. Por trashëgimia e tij, kujtimet nga ndeshjet, fanellat që veshi, kontributi dhe shembulli që la pas do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë sonë sportive”, ka shkruar Ademi.

Në fund, presidenti i FFK-së, në emër të tij dhe të Komitetit Ekzekutiv, u ka shprehur ngushëllime familjes Brovina, të afërmve, miqve dhe gjithë komunitetit të futbollit të Kosovës.

“Sot futbolli ynë po i përcjell për në përjetësi dy nga futbollistët e tij më të çmuar, Zenun Brovinën dhe Erdogan Celinën”, përfundon reagimi i Ademit.