Fushatë me Erdogan’in

LDK reagon ndaj referencës së Kryeministrit Thaçi në Prizren për Ramadan Mujën si “kryetar i sotëm dhe në të ardhmen” i Prizrenit, në prani të Kryeministrit turk Erdogan.

Lajme

23/10/2013 19:14

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, e ka shfrytëzuar vizitën në Kosovë të homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan për të bërë fushatë.

“Në kundërshtim me ligjet dhe me normat e sjelljes në fushatën zgjedhore, madje në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese që lidhen me funksionin e kryeministrit dhe të Qeverisë, (Thaçi ) e përdori vizitën e kryeministrit turk, z.Erdogan, për të bërë fushatë në dobi të Partisë Demokratike të Kosovës dhe, në mënyrë të veçantë, në dobi të kandidatit të PDK-së për kryetar të Prizrenit, z.Ramadan Muja”, thuhet në komunikatën e PDK’së.

LDK ka mbajtur shënim deklaratën e Thaçit kur i është drejtuar Mujës si kryetar i sotëm dhe “në të ardhmen” i Prizrenit: “I nderuari dhe shumë i respektuari kryetar i Prizrenit, sot dhe në të ardhmen, z.Ramadan Muja”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje për sjelljen jokorrekte të kryeministrit përgjatë gjithë fushatës e sidomos sot, në një vizitë kaq të rëndësishme dhe që ka karakterit e vizitës shterërore dhe jo partiake. Me sjelljen e tij, z. Thaçi sot nuk e ka përfaqësuar institucionin që e drejton, por partinë e tij”, thotë LDK.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se sjellja e sotme e kryeministrit e bën Kosovën të duket joserioze në sytë e miqve ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatë.