Funerali shtetëror për ish-Presidentin Jimmy Carter
Në shtetin e Xhorxhias, vendlindjen e ish-Presidentit Jimmy Carter po vazhdojnë ceremonitë në nderim të jetës dhe trashëgimisë së tij. Gjashtë ditët e funeralit për Presidentin e 39 të Shteteve të Bashkuara filluan të shtunën në Xhorxhia, ku ai vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare. Këto ditë, dielli shkëlqen ndryshe mbi qytetën Plains të…
Bota
Në shtetin e Xhorxhias, vendlindjen e ish-Presidentit Jimmy Carter po vazhdojnë ceremonitë në nderim të jetës dhe trashëgimisë së tij.
Gjashtë ditët e funeralit për Presidentin e 39 të Shteteve të Bashkuara filluan të shtunën në Xhorxhia, ku ai vdiq më 29 dhjetor në moshën 100-vjeçare.
Këto ditë, dielli shkëlqen ndryshe mbi qytetën Plains të Xhorxhias, për Philip Kurlandin, pronar i një dyqani, ndërsa ai dhe të tjerë në këtë komunitet rural prej 700 vetësh vajtojnë ndarjen nga jeta të banorit të tij më të famshëm, Jimmy Carter.
“Po shpresonim që të planifikonim festimet për ditëlindjen e tij të 101, por ai do të jetë pranë Rosalynnës, do të jetë në diku larg, më mirë, ndërsa sa jetoi bëri gjithçka që mundi për këtë komunitet dhe për tërë botën”, shprehet Philip Kurland, pronar i dyqanit “Plains Trading Post”.
Ndërsa për agjentët e shërbimit sekret, që e mbrojtën atë për afro 5 dekada në më shumë se 140 shtete ai njihej me emrin e koduar “Deacon”, (një emër që reflektonte besimin e tij të fortë fetar), Jimmy Carter është më shumë se një ish-President dhe një humanitar për ata që jetuan krah tij në këtë vend, që ai e quajti shtëpi, për një shekull.
Ndërsa makina e funeralit me trupin e zotit Carter dhe autokolona që e shoqëronte kalonte përmes qytezës Plains, duke shënuar fillimin e 6 ditëve të funeralit shtetëror në nderim të tij, zoti Kurland kujton ndikimin që pati tek ai personalisht, ish-Presidenti. “Ishte heroi im”, thotë ai.
“Është fillimi dhe fundi”, thotë Jill Stuckey nga Parku Kombëtar Historik “Jimmy Carter”.
Jill Stuckey është mikeshë e familjes Carter dhe mbikqyrëse e Parku Kombëtar Historik “Jimmy Carter”, që përfshin edhe fermën në pronësi të familjes së tij, në Archer, një prej ndalesave të autokolonës me trupin e zotit Carter. “Një president fillon të planifikojë funeralin e tij një ditë pasi është zgjedhur, kështu që funerali është planifikuar për dekada të tëra”, shprehet zonja Stuckey.
Një plan që zonja Stuckey dhe të tjerë po e ndjekin plotësisht.
“Nuk e kam vajtuar akoma. Ka të ngjarë ta bëj kur funerali shtetëror të ketë mbarur”, shprehet Kim Fullerm, mbesa e ish-Presidentit Jimmy Carter.
Kim Fuller është mbesa e Jimmy Carter, vajza e vëllait të tij të njohur Billy Carter. Ajo është gjithashtu fqinja e tij në qytezën Plains dhe vazhdon trashëgiminë e ish-Presidentit në Kishën Baptiste Maranatha, ku vetë zoti Carter, një i krishterë evangjelist i përkushtuar, jepte mësim në orët e katekizmit, që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë në 1981.
Ndërsa e pranon se aktivitetet e funeralit po e mbajnë të zënë, ajo thotë se ka momente të vështira reflektimi.
“Në një moment ndjeva shumë trishtim, po i bëjmë të gjitha këto sepse ai ka vdekur, nuk kthehet më. U desh të largohesha për pak. Ka çaste kur më kaplon një trishtim i madh”, thotë Kim Fuller.
Ndërsa forcat e ushtrisë amerikane mbajnë arkivolin ish-Presdentit Carter të mbuluar me flamurin amerikan, në Qendrën Presidenciale Carter në Atlanta, mijëra vizitorë, si Walter Ramsey kanë mundësinë të nderojnë Presidentin e vetëm nga shteti i Xhorxhias.
“Nuk e kam jetuar periudhën e Presidencës së tij, por ky funeral na ndihmon të ndjejmë sikur e kemi njohur Jimmy Carterin”, shprehet Walter Ramsey, banor i Atlantas.
Njerëzit do të kenë mundësi që të bëjnë homazhe në nderim të ish-Presidentit Jimmy Carter në Qendrën Presidenciale Carter deri të martën, ditë kur trupi i tij do të zhvendoset në Kapitolin e shtetit të Xhorxhias, për ceremonitë shtetërore. Trupi i tij do të rikthehet në Xhorxhia në 9 janar, për ceremoni shtetërore dhe private.
Ish-Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara do të prehet në qytetin Plains. VOA