Fundi i seancave 48 orëshe, Kusari -Lila flet për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare
Pasi përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dështuan plot 54 herë dhe u konsumua afati 30-ditor i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e trupave të legjislativit, zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme po shihen si të pashmangshme. Kryetarja e Alternativës, njëherësh deputete e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress se LDK-ja dhe Nisma Socialdemokrate hezituan që…

Lajme
Pasi përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dështuan plot 54 herë dhe u konsumua afati 30-ditor i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e trupave të legjislativit, zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme po shihen si të pashmangshme.
Kryetarja e Alternativës, njëherësh deputete e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress se LDK-ja dhe Nisma Socialdemokrate hezituan që të bëhen pjesë e qeverisë së ardhshme, duke konstituuar fillimisht Kuvendin.
Meqenëse një gjë e tillë nuk u arrit, ajo thotë se mandati duhet t’u kthehet qytetarëve edhe për një palë zgjedhje.
“Në fakt nuk ka ndonjë mundësi tjetër, për shkak se nëse s’ka marrëveshje, atëherë konfirmohet që ekziston mungesa e vullnetit çfarëdo të secilit subjekt politik për t’u bërë pjesë e zgjidhjes. Në momentin kur nuk e ke vullnetin për t’u bërë pjesë e zgjidhjes te partitë, në veçanti këto opozitare të deritashme, atëherë duhet t’u kthehet mandati atyre që ta kanë dhënë mandatin për të bërë zgjidhje. Të gjitha partitë garojnë për të qeverisur, qoftë sado e vogël partia apo sado që të kenë domethënë shtrirje apo mbulim të territorit, gjegjësisht të votave në Republikën e Kosovës, ata synojnë që të kenë pjesë në qeverisje. Në situatën aktuale janë partitë të cilat hezitojnë, si rasti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, përgjigjja e të cilës ka qenë negative në raport me ftesën për bashkëqeverisje. Atëherë duhet shkuar dhe pyetur votuesit se për çfarë mandati janë ata në një palë zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme parlamentare”, thotë ajo për KosovaPress.