Ftesa e Kurtit ndaj Abdixhikut dhe takimi me Limajn, flet deputeti i zgjedhur nga Guxo
Takimi i mundshëm ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është i mirëseardhur, thotë anëtari i Kryesisë së Guxo, Haxhi Avdyli. Ai, i cili është edhe deputet i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, nën listën e LVV-së thotë për KosovaPress se Kurti e Abdixhiku kanë shumë…

Lajme
Takimi i mundshëm ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është i mirëseardhur, thotë anëtari i Kryesisë së Guxo, Haxhi Avdyli.
Ai, i cili është edhe deputet i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, nën listën e LVV-së thotë për KosovaPress se Kurti e Abdixhiku kanë shumë për të diskutuar, derisa nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni qeverisës.
Gjatë ditës së hënë u bë e ditur se Kurti ka ftuar për takim konsultativ kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në LDK për KosovaPress thanë se kryetari Abdixhiku do të shqyrtojë këtë ftesë dhe më pas do t’i përgjigjen Kurtit.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, rrjedhimisht do t’i ketë 48 deputetë në Kuvend. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë e treta me 18,27 për qind dhe do t’i ketë 20 deputetë në legjislativ.
Në anën tjetër, Avdyli në një intervistë për KosovaPress konfirmon takimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti me kryetarin e Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Ai thotë se atmosfera dhe disponimi në këtë takim ka qenë i mirë, ndërkaq thekson se s’ka vend për kërkesa maksimaliste të Nismës në qeverinë e ardhshme.
“Kjo ftesë është mëse normale dhe besoj që zotëri Lumir Abdixhiku do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për takim. Normalisht se besoj se Kurti dhe Abdixhiku kanë shumë për çka të biseduar dhe diskutuar. Kemi të bëjmë me konstituimin e Kuvendit por edhe institucioneve të tjera. Tash a ka gatishmëri për ndonjë koalicion të mundshëm ajo mbetet për t’u diskutuar. Në bazë të deklaratave të disa akterëve të LDK-së deri tani s’ka pas ndonjë interesim për koalicion, por sidoqoftë këto takime janë të mirëseardhura dhe të mira”, thekson ai.
Meqenëse LVV-ja ka fituar vetëm 48 deputetë në zgjedhje dhe e ka të pamundur formimin e qeverisë së re vetëm me komunitetet jo serbe, Avdyli thotë se ka nevojë për bashkëpunime të tjera me ndonjë prej partive shqiptare të përfaqësuara në parlament.
Nisma Socialdemokrate ka siguruar tre deputetë në legjislativ, duke garuar në koalicion parazgjedhor me AAK-në e Ramush Haradinajt. Minoritetet jo serbe i kanë 10 deputetë ndërkaq, serbëve u takojnë gjithashtu dhjetë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Sipas rezultateve, një ulëse e ka fituar politikani serb dhe ministri në detyrë në Qeverinë Kurti 2, Nenad Rashiq, dhe 9 ulëse do t’i takojnë Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e cila financohet nga Beogradi.
“Ne jemi me 48 deputetë në bazë të certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja. Me 48 deputetë dhe pakicat jo serbe nuk mund ta bëjmë qeverinë. Kjo e shtron nevojën që të kemi bashkëpunime të tjera. Ka disponim dhe vullnet edhe nga partitë të tjera, duke përfshirë edhe deputetët e partisë Nisma Socialdemokrate që t’i bashkohen qeverisë Kurti. Mendoj se Kosova se ka luksin që të humb kohë dhe të shkojë në zgjedhje të reja…Disponimi dhe atmosfera ka qenë e mirë dhe është e mirë edhe në bazë të deklarimeve të akterëve të ndryshme të Nisma-s që kanë dhënë në opinion. S’ka vend për kërkesa maksimaliste, por ka vend për një vullnet të mirë për të mos lejuar Kosovën që të shkojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme”, shton Avdyli.
Madje, ai përmend edhe deputetë nga tabori opozitar, që sipas tij në ditën e seancës konstituive të Kuvendit me 15 prill mund të kalojnë te Lëvizja Vetëvendosje.
Megjithatë, ai nuk pranon të jep emra të ndonjë prej deputetëve.
“Do të ketë edhe akterë të ndryshëm të cilët janë të gatshëm që për hirë të interesave të vendit, zhbllokimit të situatës dhe mosdërgimit të Kosovës në zgjedhje të jashtëzakonshme do të jenë të gatshëm që të votojnë për qeverinë Kurti III. Për emra të përveçshëm të deputetëve nuk është e mirë dhe nevojshme që të zbulohen. Por do të kenë numra të mjaftueshëm për qeverinë Kurti III”, deklaron Avdyli.
Përkitazi me këtë, Avdyli, thotë për KosovaPress se seanca konstituive e Kuvendit më 15 prill do të jetë e suksesshme si për legjislaturën e nëntë ashtu edhe për votimin e qeverisë Kurti III.
“Për konstituimin e Kuvendit nuk do të kemi problem dhe besoj se ajo do të shkojë mirë….Kryeministri Kurti bashkë me partnerët është duke punuar shumë që kjo seancë të jetë e suksesshme si për Kuvendin por edhe për qeverinë Kurti III”,përfundon Avdyli.
Për përgatitjen e seancës konstituive të Kuvendit, kryetari në detyrë i legjislativit, Glauk Konjufca do të mbajë takim konsultativ të martën me liderët e partive politike.