FSSHK reagon ndaj vendimit të ShSKUK për orarin e punës: Vendim i njëanshëm dhe i paligjshëm, kërkojmë kthim në dialog
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka reaguar me shqetësim të madh ndaj vendimit ShSKUK-së, të datës 1 shtator 2025, për ndryshimin e orarit të punës së stafit shëndetësor. Në reagimin zyrtar, FSSHK e cilëson vendimin si të njëanshëm, të paligjshëm dhe të papranueshëm, duke theksuar se nuk është zhvilluar asnjë konsultim paraprak…

Lajme
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka reaguar me shqetësim të madh ndaj vendimit ShSKUK-së, të datës 1 shtator 2025, për ndryshimin e orarit të punës së stafit shëndetësor.
Në reagimin zyrtar, FSSHK e cilëson vendimin si të njëanshëm, të paligjshëm dhe të papranueshëm, duke theksuar se nuk është zhvilluar asnjë konsultim paraprak me sindikatën përfaqësuese, siç kërkohet me ligj.
“Është e papranueshme që një institucion që menaxhon me mbi 7 mijë punëtorë të marrë vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në kushtet e punës dhe të drejtat ligjore të stafit pa konsultim me sindikatën”, thuhet në reagim.
FSSHK ka hedhur poshtë deklaratat e ShSKUK-së për zbatimin e pjesshëm të vendimit, duke theksuar se në praktikë, vendimi është zbatuar në të gjitha njësitë përbërëse të ShSKUK-së, përfshirë QKUK-në dhe spitalet rajonale. Sindikata thekson se tashmë ka dërguar ankesë në Inspektoratin e Punës, i cili pritet të konstatojë shkeljet.
“Orari i punës nuk është çështje vullneti të njëanshëm administrativ, por është e përcaktuar me ligj. Asnjë vendim i brendshëm nuk mund ta ndryshojë këtë”, thuhet në deklaratë.
FSSHK pranon se mund të ketë rregullime për orarin e punës në vende me rrezikshmëri të lartë apo të mesme, por për këtë nevojitet vlerësim profesional dhe konsultim me sindikatën, që sipas saj është anashkaluar.
Sindikalistët theksojnë se dialogu social nuk është opsion, por detyrim ligjor, i sanksionuar me Ligjin e Punës, Ligjin për Organizimin Sindikal dhe konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga Kosova.
“Punëtorët shëndetësorë kanë sakrifikuar vazhdimisht në kushte të rënda pune, dhe çdo vendim i njëanshëm është provokim i panevojshëm”, shton FSSHK.
Në fund, Federata paralajmëron se nuk do të lejojë masa që cënojnë të drejtat e punëtorëve shëndetësorë, dhe do të përdorë të gjitha mjetet ligjore, institucionale dhe sindikale për mbrojtjen e tyre.
FSSHK i bën thirrje ShSKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të rikthehen menjëherë në tryezën e dialogut social, duke theksuar se çdo vendim që ndikon në stafin duhet të merret vetëm me pjesëmarrjen dhe konsultimin e detyrueshëm të sindikatës përfaqësuese./Lajmi.net/