FSK: QSU-ja realizon vlerësimin praktik “Guximi i palëkundur”
Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se Qendra për Studime Universitare (QSU) ka zhvilluar me sukses vlerësimin praktik njëjavor “Guximi i palëkundur”, i fokusuar në testimin e përgatitjes praktike të kadetëve në nivele të ndryshme ushtarake. Sipas njoftimit, kadetët e vitit të tretë janë vlerësuar në operacione luftarake në nivel togu, ku kanë demonstruar…
Lajme
Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se Qendra për Studime Universitare (QSU) ka zhvilluar me sukses vlerësimin praktik njëjavor “Guximi i palëkundur”, i fokusuar në testimin e përgatitjes praktike të kadetëve në nivele të ndryshme ushtarake.
Sipas njoftimit, kadetët e vitit të tretë janë vlerësuar në operacione luftarake në nivel togu, ku kanë demonstruar aftësi në planifikim, koordinim dhe zbatim të detyrave taktike.
Ndërkohë, kadetët e vitit të katërt kanë zhvilluar ushtrime në kuadër të operacioneve të stabilitetit dhe paqeruajtës, duke treguar profesionalizëm dhe qasje të pjekur në mjedise komplekse operacionale.
Për kadetët e vitit të parë dhe të dytë, fokusi ka qenë në zhvillimin bazik dhe progresiv, nga lëvizjet individuale deri te operacionet në nivel skuadre, me qëllim ndërtimin e bazës për avancim të mëtejmë.
Në njoftim theksohet se kadetët kanë dëshmuar përkushtim, disiplinë dhe qëndrueshmëri, ndërsa performanca e tyre është vlerësuar si dëshmi e përgatitjes së lartë dhe vlerave që përfaqësojnë.
“Të gatshëm për të udhëhequr”, thuhet në përmbyllje të njoftimit.