FSK-ja duhet të bëhet ushtri
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) duhet të shndërrohet në një ushtri me kapacitete të plota dhe të integrohet në programin e NATO-s për Partneritet dhe Paqe (PfP), i cili përgatit vendet për anëtarësim të plotë në NATO.
Lajme
FSK-ja u krijua shumë shpejt pasi që Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Kjo është një forcë e vogël e sigurisë e armatosur dhe forcë e mbrojtjes civile e ngjashme me një gardë kombëtare.
Ajo ka 2500 anëtarë, të pajisur me pushkë dhe automjete të blinduara.
Misioni i FSK-së është i kufizuar në reagimin ndaj krizave; përgjigjeve ndaj fatkeqësive natyrore; kryerjen e kërkim-shpëtimit; asgjësimin e artilerisë eksplozive; dhe kontrollin e materialeve të rrezikshme. FSK-ja gjithashtu bën zjarrfikje dhe detyra të tjera humanitare.
FSK-ja tashmë bashkëpunon me NATO-n. Ajo u mentorua nga KFOR-i, forca ndërkombëtare paqeruajtëse e NATO-s për Kosovën.
Ajo gjithashtu merr ndihmë nga Ekipi Ndërlidhës dhe Këshillues i NATO-s, ndërton kapacitetin për të sjellë FSK-në në përputhje me standardet e NATO-s.
Një FSK e re dhe e përmirësuar do të jetë një aset i sigurisë. Ajo mund të marrë pjesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Afganistan. Ajo gjithashtu mund të ofrojë ekspertizë në deminim për Qendrat e Veprimit të OKB-së ndaj Minave.
Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë kundërshtuar shndërrimin e FSK-së në një ushtri kombëtare. Ajo shqetësohet se krijimi i një ushtrie të Kosovës, mund të prishte paqen e paqëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Politika amerikane është duke u zhvilluar, dhe ndryshimet janë duke reflektuar në terren.
Washingtoni është i shqetësuar nga Serbia se ajo po i ushqen flakët e tensioneve etnike, si dhe pazarllëqeve dhe provokimeve të Rusisë.
Serbia paraqet përkushtim për dialogun Beograd-Prishtinë, ndërsa nxit konfliktin në Mitrovicë, një territor në veri të Kosovës ku serbët kanë sfiduar sovranitetin e Kosovës nëpërmjet strukturave paralele private.
Serbia ftoi një tren rus i bërë me imazhe nacionaliste dhe parulla në të cilat shkruante “Kosova është Serbi” për të udhëtuar nga Serbia në Mitrovicë në janar të vitit 2017. Politikanët serbë kërcënuan me veprime ushtarake kur treni u ndal në kufi.
Beogradi e bllokon Kosovën sa i përket njohjeve më të mëdha globale. Serbia dhe Rusia njëherit kanë koordinuar një fushatë për të parandaluar Kosovën që të anëtarësohet në UNESCO.
Serbia dhe Rusia kanë bashkëpunim të gjerë në aspektin e sigurisë.
Rusia kohët e fundit ka transferuar avionë luftarakë dhe armë të tjera të sofistikuara në Serbi, duke përfshirë edhe raketa tokë-ajër. Rusia ka krijuar një bazë të inteligjencës në Nish si një kundër-peshë ndaj NATO-s.
Rusia qëndronte prapa një përpjekjeje për grusht shtet në Mal të Zi në nëntorin e kaluar, me qëllim të parandalimit të Malit të Zi që t`i bashkohet NATO-s.
Dy rusë u arrestuan për koordinimin e operacionit nga Serbia dhe për komplot për ta vrarë kryeministrin e Malit të Zi.
Në prill, mbështetja e Rusisë për ultranacionalistët në Maqedoni pothuajse eskaloi një luftë civile. Sipas Federica Mogherinit, shefe e politikës së jashtme të BE-së, ky sulm kishte për qëllim që të nxis konflikte ndëretnike.
Mogherini paralajmëroi për një “konfrontim gjeopolitik” me Rusinë.
Ka mijëra trupa amerikane në Kampin Bondsteel në Ferizaj në pjesën lindore të Kosovës.
Dislokimi i tyre ndihmon në ruajtjen e stabilitetit dhe shërben si një alarm kundër agresionit. Shtetet e Bashkuara duhet ta vendosin Kosovën si një prioritet në strategjinë e saj të sigurisë rajonale.
Kosova është një aleat i besueshëm. Ajo është fuqishëm pro-amerikane dhe pro-NATO-s. Ndërtimi i kapaciteteve të Kosovës do të lejojë Kosovën që të ofrojë siguri më të mirë, duke e plotësuar KFOR-in.
Serbët e Kosovës kundërshtojnë haptas bashkëpunimin e Kosovës me NATO-n. Ata kanë kujtime të hidhura të ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999.
Shndërrimi i FSK-së në një ushtri kombëtare duhet të bëhet me kujdes për të shmangur hapjen e plagëve të vjetra. Ajo kërkon një proces transparent dhe ligjor. FSK-ja është themeluar me Kushtetutën e Kosovës. Statusi i saj mund të ndryshohet përmes një amendamenti kushtetues, me mbështetje nga dy të tretat e parlamentit.
Duke e bërë një përpjekje serioze për të bindur serbët do të dërgonin një mesazh pozitiv. Derisa zbehen shqetësimet e tyre, serbët e Kosovës nuk kanë të drejtën e vetos. Ata duhet të veprojnë në përputhje me vendimin e Kosovës.
Serbët e Kosovës do të kuptojë se interesat e tyre mbrohen nga bashkëpunimi i Kosovës me NATO-n, e cila vepron si një sigurues për ndërhyrje të huaj.
Provokimet ruse synojnë të shkakotjnë konflikt midis Kosovës dhe Serbisë në të vërtetë të vënë serbët e Kosovës në rrezik.
Ballkani Perëndimor mbetet një fuçi baruti. rendi ndërkombëtar ruhet përmes një Kosove të fortë, të qëndrueshme, dhe sovrane.
David L. Phillips është drejtor i Programit për ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin për Studime për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Columbias.
Ai ka shërbyer edhe si Këshilltar i Lartë për Stabilitet Rajonal në Byronë për Çështje Evropiane në Departamentin e Shtetit kur ishte president Bill Clinton.
David L. Phillips është edhe autor i librit “Liberating Kosovo: Coercive Diplomacy and US Intervention” (Çlirimi i Kosovës: Diplomacia detyruese dhe intervenimi i SHBA-së).
(Botuar në huffingtonpost, përkthyer nga Klan Kosova)