FSK i bashkohet ushtrimit ndërkombëtar “Saber Junction 25” në Gjermani me ftesë të ushtrisë amerikane
Me ftesë të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) i është bashkuar ushtrisë amerikane dhe forcave partnere në ushtrimin ushtarak fushor “Saber Junction 25”, që po zhvillohet në Hohenfels të Republikës së Gjermanisë. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Kosovës, e cila njoftoi se…

Lajme
Me ftesë të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) i është bashkuar ushtrisë amerikane dhe forcave partnere në ushtrimin ushtarak fushor “Saber Junction 25”, që po zhvillohet në Hohenfels të Republikës së Gjermanisë.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Kosovës, e cila njoftoi se pjesëmarrja e FSK-së në këtë stërvitje vjen në kuadër të forcimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe ngritjes së kapaciteteve të saj operacionale, raporton lajmi.net
“Ushtrimi është i dizajnuar për të testuar dhe vlerësuar gatishmërinë e njësive luftarake të ekipeve të Brigadës së Këmbësorisë dhe njësive të tjera, si pjesë e rotacionit për misionin e KFOR-it në Kosovë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
FSK po merr pjesë me një Kompani të Këmbësorisë dhe një skuadër të specializuar për materie të rrezikshme (CBRN), me synim demonstrimin e profesionalizmit dhe ndërveprueshmërisë me vendet partnere.
Ushtrimi “Saber Junction” organizohet çdo vit nga ushtria amerikane dhe përfshin një sërë skenarësh luftarakë për të testuar bashkëpunimin mes forcave të ndryshme ushtarake të NATO-s dhe vendeve partnere./Lajmi.net/