Fruthi po përhapet në Kosovë, 137 raste të konfirmuara – 25 vetëm gjatë javës së fundit
Fruthi po vazhdon të përhapet në Kosovë, me 137 raste të konfirmuara nga 16 prilli deri më 17 gusht 2026. Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 25 raste të reja, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK). Prishtina prin me numrin më të madh të rasteve, me gjithsej 47, e ndjekur…
Lajme
Fruthi po vazhdon të përhapet në Kosovë, me 137 raste të konfirmuara nga 16 prilli deri më 17 gusht 2026. Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 25 raste të reja, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).
Prishtina prin me numrin më të madh të rasteve, me gjithsej 47, e ndjekur nga Fushë-Kosova me 34 dhe Ferizaj me 12 raste.
Raste janë raportuar edhe në Obiliq, Kaçanik, Lipjan, Skenderaj, Vushtrri, Drenas, Gjilan, Shtime, Shtërpcë, Deçan, Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Viti.
Përballë rritjes së rasteve, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar aktivitetet në komunat më të prekura. Gjatë javës së fundit, në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj, janë vaksinuar me MMR gjithsej 276 fëmijë që kishin mbetur të pavaksinuar sipas afatit.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore nëse shfaqin simptoma të dyshimta të fruthit, përfshirë temperaturën e lartë, skuqjen e lëkurës, kollën, rrufën dhe konjuktivitin.
Instituti ka rikujtuar se fruthi është shumë ngjitës dhe mund të përhapet shpejt në komunitet, ndaj prindërit dhe kujdestarët këshillohen të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurohen që ata të vaksinohen sipas kalendarit.
Vaksinimi mbetet masa më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e fruthit dhe pengimin e përhapjes së tij. /Lajmi.net/