Frikë nga fuqia e LDK’së

Isa Mustafa thotë në Klinë se qeverisja e LDK’së do të jetë një qeverisje për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim. Beson se fuqia e votës së kësaj partie është e madhe.

Lajme

24/10/2013 11:14

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Isa Mustafa, ka zhvilluar sot një takim elektoral me banorët e fshatit Sfërkë të Komunës së Klinës, në të cilin ka thënë se kundërshtarët politikë të LDK’së, nga frika e humbjes në zgjedhje, nuk po zgjedhin me kë të bëjnë koalicion.

“Të tjerët kanë filluar të frikësohen nga LDK’ja në Klinë dhe nuk po zgjedhim me kë të bëjnë koalicion. Kjo flet se fitorja është e jona dhe kjo fitore mund të arrihet shumë shpejt, sepse fuqia e votës së LDK’së, sa herë që kemi dashur, ka qenë fuqi e madhe. Ne këtë fuqi politike e kemi trashëguar nga Presidenti historik Ibrahim Rugova”.

“Duke e respektuar të kaluarën tonë, duke e respektuar atë që ka bërë LDK’ja për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e këtij vendi, ne kemi një garanci më të madhe se ne do të fitojmë, se do të qeverisim Klinën dhe komunat e tjera”.

“Qeverisja e LDK’së në Klinë dhe në komunat e tjera do të jetë një qeverisje për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim”.

“LDK’ja po rikthehet fuqishëm dhe dëshirojmë që ky besim të kthehet në votë për LDK’në, për një qeverisje, e cila do të ofrojë kushte më të mira për banorët e kësaj ane, për të rinjtë dhe për të moshuarit”.

Kandidati për Kryetar Komune, Fadil Gashi, tha deklaruar se LDK është parti e vlerave dhe e respektit për qytetarin. Ai ka pohuar se fitorja në zgjedhje nuk është vetëm fitore e LDK’së, por është fitore e të gjithë qytetarëve.