Frigoriferët për ruajtjen e vaksinave antiCovid mbërrijnë në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se frigoriferët për ruajtjen e vaksinës antiCovid kanë arritur në Kosovë.

Lajme

15/01/2021 18:55

Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka bërë të ditur se shumë shpejt do të mbërrijnë edhe vaksinat, ndërsa ka shtuar se kanë marrë të gjitha masat për procesin e vaksinimit.

Ky është statusi i tij i plotë:

Qytetarë të vendit tim, profesionistë shëndetësorë, partnerë ndërkombëtarë, bashkëpunëtorë në luftimin e pandemisë Covid-19,

Sot arritën frigoriferët për ruajtjen e vaksinës antiCovid, të siguruar nga Ministria e Shëndetësisë që bëjnë ftohjen dhe mirëmbajtjen për vaksinat deri në – 86 gradë.

Jemi gati për pranimin e vaksinës, siç kërkojnë kushtet e ruajtjes, të cilat e kërkojnë frigoriferin deri në minus 70 gradë. Po ashtu, kemi përgatitur strategjinë për vaksinim dhe distribuimin e saj.

Në MSh dhe IKShKP janë marrë të gjitha masat dhe jemi përgatitur për vaksinim. Vaksina po vjen!

Ruani higjienën, bartni maskë dhe mbani distancën!

Bashkë ia dalim!. /Lajmi.net/