Franko Fratini i thur lavde Vuçiqit, sepse paguhet nga qeveria e Serbisë
Ish-Ministri i Jashtëm italian Franko Fratini është shprehur i impresionuar nga reagimi i kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, dje gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Por kjo nuk duhet ta habitë askënd, pasi ai që nga fundi i vitit 2013 paguhet nga qeveria e Vuçiqit, si konsulent për ta ndihmuar Serbinë në proceset e integrimit evropian.

Lajme
Ish ministri i jashtëm italian ka bërë një postim në Twitter pas debatit në konferencën për shtyp që Rama pati me Vuçiqin në Beograd, duke e përgëzuar kryeministrin serb për reagimin ndaj fjalëve të kryeministrit shqiptar, ku ky i fundit përmendi pavarësinë e Kosovës, si një realitet të pakthyeshëm.
“E heq kapelën time ndaj kryeministrit Vuçiq! Vetëm në qoftë se ju jeni një lider i fortë, siç është ai, mund të reagoni ashtu”, ka shkruar Fratini në llogarinë e tij Twitter.
Ndryshe, Fratini, ish-ministri i Jashtëm italian dhe ish zëvendës-president i Komisionit Evropian, më 7 tetor të vitit të kaluar kishte pranuar ofertën e qeverisë serbe për të ndihmuar Serbinë në procesin e integrimit në BE, në rolin e konsulentit, transmeton lajmi.net.
Fratini kishte marrë përsipër që bashkë me ekipin e tij të ndihmojë qeverinë serbe në procesin e integrimit në BE, kryesisht në lidhje me kapitujt 23 dhe 24 të negociatave për anëtarësim. (lajmi.net)