Franca sot voton ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç
Franca pritet të votojë këtë të martë një projektligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, duke iu bashkuar një vale gjithnjë e më të gjerë shtetesh që po vendosin kufizime për të miturit. Sipas një përllogaritjeje të AFP, më shumë se 20 vende në botë kanë propozuar ose miratuar masa…
Bota
Franca pritet të votojë këtë të martë një projektligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, duke iu bashkuar një vale gjithnjë e më të gjerë shtetesh që po vendosin kufizime për të miturit.
Sipas një përllogaritjeje të AFP, më shumë se 20 vende në botë kanë propozuar ose miratuar masa për të kufizuar aksesin e fëmijëve në rrjetet sociale, ndërsa pesë prej tyre i kanë tashmë këto kufizime në fuqi. Australia ishte ndër të parat që vendosi ndalimin për përdoruesit nën 16 vjeç në dhjetor 2025.
Brazili kërkon që llogaritë e përdoruesve nën 16 vjeç të lidhen me ato të prindërve dhe detyron platformat të verifikojnë moshën. Kina, Indonezia dhe Malajzia kanë gjithashtu kufizime të ngjashme, ndërsa Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë miratuar ligje që pritet të hyjnë në fuqi në muajt e ardhshëm, transmeton Klankosova.tv.
Komisioni Evropian pritet të propozojë këtë vit ndalimin e plotë të rrjeteve sociale për fëmijët nën 13 vjeç dhe një sistem me akses të kufizuar për moshat 13-18 vjeç. Greqia synon të vendosë ndalimin për nën 15-vjeçarët nga 1 janari 2027, ndërsa Austria, Sllovenia, Gjermania, Suedia, Danimarka dhe Irlanda po shqyrtojnë ose përgatisin legjislacion të ngjashëm. Norvegjia planifikon të paraqesë një projektligj deri në fund të vitit për ndalimin e aksesit për nën 16-vjeçarët.
Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe disa shtete të Indisë po shqyrtojnë rritjen e moshës minimale për përdorimin e rrjeteve sociale. Në Francë, projektligji që votohet sot parashikon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç. Qeveria synon vendosjen e një “moshe ligjore dixhitale”, duke e bërë Francën vendin e parë në Evropë me një kuadër të tillë ligjor.
Ndërkohë, Portugalia, Spanja dhe Italia kanë paraqitur ose po shqyrtojnë projektligje që rrisin moshën minimale për përdorimin e pavarur të rrjeteve sociale.