Fotografia e tij si çlirimtar trazoi Serbinë, eurodeputeti kroat: Nuk e kompromentova funksionin
Raportuesi i Parlamentit Evropian (PE) për Serbinë, eurodeputeti kroat Tonino Picula, deklaroi se akuzat se pozicioni i tij është kompromentuar për shkak të një postimi në rrjetin social X me rastin e përvjetorit të Operacionit Stuhia, nuk kanë logjikë. Ai shtoi se pozicioni i tij në Parlamentin Evropian nuk është arsye për të hequr dorë…

Lajme
Raportuesi i Parlamentit Evropian (PE) për Serbinë, eurodeputeti kroat Tonino Picula, deklaroi se akuzat se pozicioni i tij është kompromentuar për shkak të një postimi në rrjetin social X me rastin e përvjetorit të Operacionit Stuhia, nuk kanë logjikë.
Ai shtoi se pozicioni i tij në Parlamentin Evropian nuk është arsye për të hequr dorë nga asnjë pjesë e biografisë së tij dhe se synon të vazhdojë punën e tij.
Në platformën X, me rastin e 30-vjetorit të Operacionit Stuhia, Picula publikoi një fotografi të vetes, të veshur me uniformë ushtarake dhe me automatik në dorë nga periudha e luftës për çlirim të Kroacisë.
Postimi shkaktoi reagime të ashpra në Serbi. Politikanë të pushtetit të Vuçiqit dhe të opozitës kërkuan shkarkimin e menjëhershëm të politikanit kroat nga funksioni i raportuesit të PE-së për Serbinë.
Por, Picula i tha portalit European Western Balkans (EWB) se është informatë publike që 30 vjet më parë ai ishte anëtar i ushtrisë kroate që çliroi pjesë të vendit që kishin qenë të pushtuara deri atëherë, dhe se ky fakt mund të kontestohet vetëm nga “ata që edhe sot e relativizojnë ose maskojnë politikën e cila, që nga fillimi i viteve 1990, ka shkaktuar vuajtje të mëdha njerëzore dhe dëme materiale në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë”.
“Përvoja ime jetësore dhe karriera ime politike vetëm më ndihmojnë mua si raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Serbinë, që të kuptoj më mirë proceset të cilat vazhdojnë ta bllokojnë Serbinë në rrugën e saj evropiane”, tha Picula për EWB.
Kur u pyet se si i komenton reagimet nga Beogradi, jo vetëm të regjimit, por edhe të opozitës, Picula deklaroi se nuk është i befasuar nga reagimet, sepse nuk është hera e parë që është përballur me kritika dhe kërkesa për shkarkimin e tij, drejtpërdrejt ose përmes mediave pro-regjimit në fushata shpifjesh ndaj tij.
“Këtë herë, nga njëra anë, atyre iu bashkuan politikanë të ekstremit të djathtë të ngjashëm me ta nga BE-ja, të kompromentuar nga skandalet dhe në mënyrë të pashmangshme në favor të Rusisë së Putinit, dhe nga ana tjetër, një pjesë e opozitës, e cila e konsideron të papranueshme që unë mbrojta vendin tim në një luftë të imponuar”, shtoi Picula.
Kur u pyet nëse do të vazhdojë të kryejë funksionin e raportuesit si më parë, ai tha se detyra e tij në PE nuk është dhe nuk mund të jetë arsye për të hequr dorë nga asnjë pjesë e biografisë së tij.
“Kam ndërmend të vazhdoj punën time, dhe cilësia e saj demonstrohet më së miri nga negociatat e suksesshme mbi raportin për Serbinë, si dhe nga mbështetja bindëse në seancën plenare të Parlamentit Evropian (410 vota ‘po’ nga një total prej 720)”, tha Picula.
Siç tha ai, nëse do të ishte i anshëm ose jo objektiv, ajo mbështetje nuk do të kishte qenë e mundur dhe për këtë arsye nuk ka logjikë në thirrjet që funksioni i tij është i kompromentuar.