“Foshnjëria e Kombit Kosovar” u promovua edhe në Obiliq

Libri i tetë i Nexhmedin Spahiut, “Foshnjëria e Kombit Kosovar”, u promovua sot edhe në qytetin e Obiliqit, në mesin e shumë qytetarë si dhe autoriteteve politike e kulturore.

Lajme

03/03/2015 19:41

Në promovimin e  librit folën publicistët Blerim Gashani dhe Ertan Munoglu.

Publicisti Gashani, tha se autori ka sakrifikuar rahatinë e tij personale duke dalë përpara për të mirën e përgjithshme dhe për të qenë intelektual i cili i del përballa zhurmës së turmës. Sipas tij, me këtë libër autori ka treguar atdhedashurinë e tij për kombin shqiptar dhe se, sipas tij, autori e njeh mirë kombin shqiptar.

“Libri na tregon për dashurinë e Nexhmedin Spahiut për kombin shqiptar. Ai këtë nuk na e thotë sepse dashuria ndaj kombit është sikurse qetësia. Sapo ta përmendësh zhduket. Mirëpo ajo pulson në tërë shkrimet e këtij autori origjinal. Lexuesve që mund të u jenë mbushur veshët nga zhurmat pa përmbajtje do të binden se Spahiu e donë kombin shqiptar. E donë shumë sepse e njeh mirë atë dhe sic ka thënë i urti “Bëhu i ditur që të jesh i lirë! Spahiu është i lirë”. I lirë ta dojë kombin e vet në mënyrën e vet”, tha Gashani.

E sipas publicistit Munoglu, me anë të këtij libri i fton të gjithë shqiptarët të duan shtetin dhe kombin e vet, si dhe po ashtu, sipas tij, ai i fton të punojnë sa më shumë për të dhe të sakrifikojnë për të.

“Spahiu në rend të parë është autokritik dhe na tregon se vet jemi shkaktar kryesor për zgjidhjen e problemeve të shumta që i kemi si shoqëri. Duke hyrë thellë në shoqërinë dhe kulturën tonë, ai tregon se shtet ndërtimi nuk është i lehtë por është i mundur e mund, punë serioze dhe atdhedashuri. Spahiu na njofton se askush i huaj nuk mund të na nxjerr nga foshnjëria dhe na fton që këtë punë ta bëjmë vetë. Na fton ta duam shtetin dhe kombin tonë, na fton të punojmë dhe të sakrifikojmë për të. Ai na fton në rrugëtimin e gjatë të lirisë, vëllazërisë, barazisë së kombeve të nisur me revolucionin Francez”, tha ai.

Në objektin e komunës së Obiliqit ky libër solli tema debative që ngjallën interes tek të pranishmit. Identiteti kombëtar, shtet-formimi, ideja e kombit dhe identifikimi i tij me shtetin ishin disa nga temat që u debatuan gjatë promovimit.

“Foshnjëria e Kombit Kosovar” është promovuar edhe në shumë qytete të tjera shqiptare, si: Mitrovicë, Prishtinë, Tetovë, Viti, Deçan e disa qytete tjera. Po ashtu, pritet që të promovohet edhe në qytetet e tjera në të cilat nuk është promovuar ende.