Forcat për reagim të shpejtë do të ruajnë oborrin e NATO-s!

11:33 | 7 Tetor 2014

Jens Stoltenberg

Shefi i ri i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se planet për dislokimin e një force të reagimit të shpejtë në Evropën Lindore nuk shkelin marrëveshjen me Rusinë mbi nivelin e forcave ushtarake në rajon.

Stoltenberg, gjatë një vizite në Poloni i ka thënë Agjencisë së Lajmeve Reuters se Aleanca vepron në përputhje me detyrimet e saj ndërkombëtare.

Ai ka thënë se NATO duhet të vazhdojë të qëndrojë e fortë, ta ruaj qëndrueshmërinë në oborrin e saj, dhe të ketë një lidhje të fuqishme mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ky është themeli më i mirë për një marrëdhënie më bashkëpunuese me Rusinë”.

NATO ka rënë dakord të formojë një forcë të reagimit të shpejtë në Evropën Lindore, një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj veprimeve ruse në Ukrainë.

Por për Moskën zyrtare, shtimi i forcave të NATO-s në zonat që në të kaluarën ishin nën influencën e ish-Bashkimit Sovjetik do të shkelte një marrëveshje të arritur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

NATO ka thënë se nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë, por e ka obligim ruajtjen e paqes për secilin shtet anëtarë të saj dhe kundërpërgjigjen nëse atyre u kanoset rreziku nga ndonjë shtet jo-anëtar.