Forca të shumta policore, Ilir Meta arrin në gjykatë

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK), mëngjesin e 23 tetorit. Në këtë seancë, ai do të njihet me masën e sigurisë së caktuar ndaj tij “arrest me burg” dhe avokati i tij do të paraqesë pretendimet e tij, pasi siç ka deklaruar, e kundërshton këtë masë. Policia…

Lajme

23/10/2024 10:12

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK), mëngjesin e 23 tetorit. Në këtë seancë, ai do të njihet me masën e sigurisë së caktuar ndaj tij “arrest me burg” dhe avokati i tij do të paraqesë pretendimet e tij, pasi siç ka deklaruar, e kundërshton këtë masë.

Policia është siguruar që Ilir Meta të mos shfaqet para kamerave, por Meta është parë i rrethuar nga policia ne parkimin e GJKKO, raporton gazeta Panorama.

Atje pritet të paraqitet edhe deputetja Monika Kryemadhi, ish-bashkëshortja e Metës.

Prokuroria e Posaçme ka deklaruar se ish-presidenti Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, “në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë, janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë”.

Po ashtu, seancë për rivlerësim mase sigurie do të zhvillohet edhe për Kryemadhin, me të cilën Meta është proces divorci.

“Po shkoj sot për t’u paraqitur përballë një sistemi drejtësie të kastruar. Nëse inteligjencë nuk e kanë aq të zhvilluar sa të kuptojnë se çfarë do të thotë fjala kastruar, për të kërkuar nga ata kush e ka shpërndarë dosjen në media, që kanë nxjerrë sekretin hetimor. Për të kuptuar që drejtësia e [kryeministrit të Shqipërisë] Edi Ramës, nuk është drejtësia që kanë kërkuar shqiptarët, nuk është drejtësia e partnerëve tanë që kanë shpenzuar miliona euro, por është drejtësia e propagandës së Ramës. Do t’i shoh në fytyrë për t’i parë a e përballojnë dot”, tha Kryemadhi.

Në gjykatë mëngjesin e së mërkurës mbërriti edhe Piro Xhixho, ish-drejtues i Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). së bashku me një shtetase tjetër, që është pjesë e hetimeve.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u arrestua më 21 tetor me urdhër të SPAK-ut, nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Për këto dyshime po hetohet edhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.

Avokati Genc Gjokutaj si dhe përfaqësues të subjektit të Metës, Partia e Lirisë, e kanë konsideruar arrestimin e tij si “rrëmbim banditesk”.

Meta u arrestua teksa po udhëtonte me makinë drejt selisë së partisë së tij. Partia e Lirisë tha se ndaj Metës u ushtrua dhunë nga punonjësit e policisë.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, mbrojti punonjësit e policisë dhe tha se përdorimi i forcës ishte i pashmangshëm për shkak të refuzimit të ish-presidentit Meta për t’iu bindur urdhrit të policisë.

Ish-presidenti Ilir Meta, duke u shoqëruar në selinë e Policisë në Tiranë më 21 tetor 2024.

SPAK-u ka thënë se Meta dhe bashkëshortja e tij “në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë, janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale”.

Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.

Tre vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara. Dy rastet, më pas, janë shkrirë në një të vetëm më 2024.

Hetimet janë duke vazhduar, me qëllim të mbledhjes së provave dhe për të kuptuar përfshirjen e personave tjerë në këto veprimtari. SPAK-u më 21 tetor ka falënderuar për bashkëpunimin autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos, Qipros si dhe Policinë e Shtetit.

DASH pas arrestimit të Metës: Mbështesim përpjekjet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit

Ilir Meta ka shërbyer në postin e presidentit të Shqipërisë nga viti 2017 deri më 2022. Përveç postit të presidentit, Meta ka qenë edhe kryeministër, kryetar Kuvendi, ministër i Jashtëm dhe ministër i Ekonomisë.

+

YouTube player