Fondi i Kursimeve Pensionale: Rënie më e ulët se tregjet globale dhe tarifa më të ulëta historike
Gjatë deklaratave të dhëna sot në objektin e Trustit, drejtori menaxhues Adrian Zalli dhe kryesuesi i Bordit Emanuel Bajra kanë folur për rënien e tregjeve financiare pas tarifave të presidentit Trump, strategjinë afatgjate të investimeve, ndarjen e rrezikut sipas grupmoshave, si dhe përpjekjet institucionale për ruajtjen e performancës, uljen e tarifave dhe menaxhimin e qëndrueshëm…
Lajme
Gjatë deklaratave të dhëna sot në objektin e Trustit, drejtori menaxhues Adrian Zalli dhe kryesuesi i Bordit Emanuel Bajra kanë folur për rënien e tregjeve financiare pas tarifave të presidentit Trump, strategjinë afatgjate të investimeve, ndarjen e rrezikut sipas grupmoshave, si dhe përpjekjet institucionale për ruajtjen e performancës, uljen e tarifave dhe menaxhimin e qëndrueshëm të aseteve të kontribuuesve.
Drejtori menaxhues i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës Adrian Zalli ka folur për rënien e tregjeve gjatë muajit prill, në kohën kur u implementuan tarifat nga presidenti Trump, duke theksuar se përderisa tregjet kishin rënie deri në 20%, fondi kishte rënie rreth 7%.
“Kjo është ndarja e rreziqeve për përfolje sipas grupmoshave, dmth dikush mund të marrë më shumë rrezik për shkak të moshave më të reja dhe është më gjatë në institucion, ndërsa për ata që janë afër pensionimit për ta rrezikshmëria është 0%.Tregjet financiare historikisht nga natyra janë të paparashikueshme, domethënë del një tarifë e paparashikuar dhe natyrisht tregjet reagojnë kundër saj, qysh reaguan në muajin mars, prill. Por me kalimin e kohës, kur e shikojmë afatgjatë, gjithmonë kjo është strategjia jonë investuese. Ne nuk investojmë për vitin pasues; strategjia jonë është 5 vjeçare, nëse e shikoni edhe strategjinë që e kemi publikuar nëpër faqe, është diçka që e kemi të sistemuar të tillë” theksoi:Zalli.
Emanuel Bajra, kryesues i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, ka ndarë me publikun disa detaje mbi sfidat dhe punën e institucionit që drejton, duke theksuar vështirësitë e operimit në një ekosistem me mandate jashtëzakonisht pasive, por edhe përpjekjet për të ruajtur performancë dhe menaxhim të qëndrueshëm.
“Nëse i keni vërejt tarifat, kemi reduktim të tarifave, rritje të aseteve edhe performancë të mirë, domethënë është një kombinim që është dashtë bukur punë me bë, duke e luftu inflacionin, duke luftu pasigurinë, duke e luftu edhe sensin që kontribuuesi kosovar meriton më mirë. Edhe unë po besoj që në pozicion të tarifave investuese jemi 0.30%, përderisa operacionalet 0.47%, domethënë historikisht më të ulëta që kanë ekzistuar ndonjëherë, me një menaxhim të buxhetit me shumë fokus, jo vetëm të bordit, po edhe të ekipit menaxhues të fokusuar në performancë. Si institucion, historikisht i bartim ato mandate edhe e kemi për detyrim, por ndonjëherë duhet me dalë edhe jashtë lëkurës tënde, në mënyrë që, siç e thash më herët, është shumë e vështirë me operu me një ekosistem ku je i pozicionuar me mandate jashtëzakonisht pasive, përderisa krejt kohën je i preokupuar që ky pasivitet, ndoshta me disa taktika të vogla, mund ta arrijë dinamikën dhe kjo është rezultat”, theksoi Bajra.
Përfaqësuesit e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës theksuan se luhatjet e tregjeve financiare, të nxitura nga faktorë të paparashikueshëm globalë, kanë ndikuar edhe në investimet e fondit, por me një rënie dukshëm më të ulët krahasuar me tregjet ndërkombëtare.
Ata nënvizuan se strategjia investuese e Trustit mbetet e orientuar në afatgjatë, me menaxhim të kujdesshëm të rrezikut sipas grupmoshave, ulje të tarifave në nivele historike dhe fokus të vazhdueshëm në mbrojtjen dhe rritjen e kursimeve të kontribuuesve, pavarësisht sfidave ekonomike dhe pasigurive globale.