Fokusi në Këshillin e Europës

Prezantohet raporti ‘Rruga e Kosovës drejt KE’së’. Dren Doli thotë se Qeveria e Kosovës, nuk ka bërë asgjë sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ai pohon se Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë prioritet anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Lajme

29/09/2013 12:35

Kosova edhe pse shtet i pavarur, i njohur nga 104 vende të botës, vazhdon të mos jetë anëtare e Këshillit të Evropës. Për më tepër, deri tash nuk është bërë ndonjë hap i rëndësishëm nga  institucionet e Kosovës për mënyrën e anëtarësimit dhe hapat që duhen të ndërrmerren.

Antarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë prioriteti kryesor për Kosovën, pasi që kjo i jep të drejtën për të nënshkruar shumë konventa evropiane që janë pjesë e Këshillit të Evropës dhe të jetë e barabartë me shtetet e tjera sovrane.

Kështu u vlerësua nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në një konferencë për media të mbajtur sot, në të cilën u prezentua raporti: Rruga e Kosovës drejt Këshillit të Evropës-Identifikimi i procedurave, pengesave dhe zgjidhjeve për anëtarësim.

Dren Doli nga ky grup u shpreh se Qeveria e Kosovës, nuk ka bërë asgjë sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Qeveria e Kosovës fokus kryesor në politikën e jashtme e ka njohjen nga shtetet individuale, por po harron se procesi i anëtarësimit të Kosovës në organiata ndërkombëtare është po aq i rëndësishëm sa njohjet nga shtetet, në kuptim të fuqizimit të shtetësisë së Kosovës dhe forcimit të saj në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Fisnik Korenica, po nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike prezantoi raportin e hartuar  për parakushtet që duhet të plotësoj Kosova për anëtarësim.

“Parakushtet kryesore që një shtet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës përfshijnë: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, Liria e Mediave- të fuqizohet pozita e lirisë së mediave dhe të rritet pavarësia e Komisionit të pavrur të mediave dhe të mbrohen gazetarët nga sulmet politike, dhe çështja e tretë është fuqizimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial në mënyrë që të ketë një sistem efikas të të dhënit drejtësi”.

“Procedurat standarde për anëtarësim marrin kohë 2 deri 4 vite dhe kjo tregon që Kosova duhet me nguti të kalojë në proces të shpejtë të lobimit dhe të anëtarësimit”.

Këshilli i Evropës është themeluar në vitin 1949, është institucioni më gjithpërfshirës në Evropë që përfshinë 47 shtete anëtare.