Foda pas humbjes kundër Hungarisë: Për të arritur në Botëror apo Evropian ne duhet të performojmë për 90 minuta

Kombëtarja e Kosovës pësoi sot disfatën e parë nën urdhrat e trajnerit të ri, Franco Foda. “Dardanët” u mposhtën me rezultat solid 2:0 nga Hungaria në “Puskas Arena” të Budapestit. Pas ndeshjes, trajneri i Kosovës, Franco Foda u shpreh i kënaqur me atë që e pa në fushë nga “Dardanët” për një orë lojë, ndërsa…

Sport

26/03/2024 23:20

Kombëtarja e Kosovës pësoi sot disfatën e parë nën urdhrat e trajnerit të ri, Franco Foda.

“Dardanët” u mposhtën me rezultat solid 2:0 nga Hungaria në “Puskas Arena” të Budapestit.

Pas ndeshjes, trajneri i Kosovës, Franco Foda u shpreh i kënaqur me atë që e pa në fushë nga “Dardanët” për një orë lojë, ndërsa vazhdoi duke thënë se lojtarët e tij nuk janë në nivelin për të zhvilluar 90 minuta në një ndeshje.

“Deri në minutën e 60’ isha shumë i kënaqur. Në pjesën e parë kishim mundësitë më të mirë për shënim. Por, në pjesën e dytë pranuam gol që nuk bën të pësohet në këto nivele. Duhet të mësohemi që pas pësimit të një goli të tillë, kishte edhe 30 minuta, dhe mund të barazonim. Më pas pësuam edhe të dytin, dhe ndeshja mbaroi”, tha Foda.

“Bëmë presing, fituam shumë topa dhe krijuam raste. Ndonjëherë kemi humbje të lehta të topit, si te goli i parë. Nuk duhet të ndodhë një gjë e tillë. Paraqitjen që bëmë për 60 minuta, duhet të mësohemi ta bëjmë për 90 minuta, por nuk jemi ende në atë nivel. Kjo është shumë e rëndësishme, duhet të përmirësohemi në këtë drejtim. Për të arritur kualifikimet në Botëror apo Evropian, ne duhet të performojmë për 90 minuta. 60 minuta nuk mjaftojnë”, tha më tej Foda.

Miqësorja e radhës e Kosovës është më 5 qershor kundër Kombëtares së Norvegjisë.