Foda paralajmëron ndeshje të vështirë ndaj Irlandës: Synojmë fitoren përmes kundërsulmeve
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka paralajmëruar një përballje të vështirë ndaj Irlandës, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve. Në konferencën për media, Foda ka theksuar rëndësinë e kësaj ndeshjeje, duke bërë të ditur se Kosova do të synojë të marrë rezultatin e dëshiruar, ndërsa barazimi do…
Sport
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka paralajmëruar një përballje të vështirë ndaj Irlandës, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve.
Në konferencën për media, Foda ka theksuar rëndësinë e kësaj ndeshjeje, duke bërë të ditur se Kosova do të synojë të marrë rezultatin e dëshiruar, ndërsa barazimi do të ishte i mjaftueshëm për të ruajtur pozitën e dytë në grup.
“Nuk mund të thuash nëse është e lehtë apo e vështirë. Për ne është ndeshje e vështirë dhe jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes. Irlandës i duhet fitorja, ndërsa neve na konvenon edhe barazimi. Por në fushë ekipet hyjnë për fitore. Do të tentojmë nëpërmjet kundërsulmeve të fitojmë këtë ndeshje”, ka deklaruar Foda.
Ai është pyetur edhe për mungesën e Edon Zhegrovës, i cili u largua nga grumbullimi i Kombëtares për shkak të lëndimit.
“Edon Zhegrova nuk është, por të tjerët janë në dispozicion dhe pas stërvitjes do të vendosim për lojtarët që do të luajnë”, ka bërë të ditur përzgjedhësi.
Foda ka theksuar se synimi i Kosovës është të imponojë lojën e saj dhe të marrë rezultatin e kërkuar, duke shpresuar edhe në përkrahjen e tifozëve nga shkallët e stadiumit.
“Për futbollistët është gjithmonë e rëndësishme të luajnë në një atmosferë impozante. Shpresoj që edhe nesër të ketë shikues. E rëndësishme është të imponojmë lojën tonë ndaj Irlandës dhe të marrim rezultatin që kërkojmë”, ka thënë ai.
Kosova aktualisht renditet në vendin e dytë në Grupin 3 të Ligës B, me gjashtë pikë pas pesë ndeshjeve. Dardanët kanë pesë pikë më pak se Austria, e cila e ka siguruar vendin e parë, ndërsa kanë një pikë më shumë se Irlanda, që renditet e treta.
Për Kosovën, kjo përballje është vendimtare për ta ruajtur pozitën e dytë në grup, me barazimin që do t’i mjaftonte për ta arritur këtë objektiv. /Lajmi.net/